“Njohja reciproke”, për herë të parë nuk u përmend nga SHBA-ja pas takimit Kurti-Sullivan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka takuar Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan.

“Njohja reciproke” është togfjalëshi i rregullt i SHBA-së, sa herë që flet ndonjë zyrtar i saj për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, një sinjal shumë i keq, mes rreshtash iu dha këtë radhë Kosovës. Për herë të parë në një takim ndodhi që një zyrtar i lartë amerikan të mos e përmend njohjen reciproke si qëllimin final të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Demokracia.com.

Në këtë takim, Kurti e Sullivan u tha se diskutuan për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke shprehur mbështetjen e SHBA-së për dialogun e lehtësuar nga Bashkim Evropian për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet kyçe të pazgjidhura, por nuk u përmend zyrtarisht njohja reciproke.

“Ata diskutuan gjithashtu stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, me z. Sullivan duke shprehur mbështetjen e SHBA-së për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet kyçe të pazgjidhura. Z. Sullivan përshëndeti planet e Kosovës për të kaluar nga varësia e saj nga thëngjilli i linjitit në energji më të pastër dhe për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Duke biseduar për aspektin e sigurisë, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me ShBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO.

Pas këtij takimi, edhe qasja e Kurtit ndaj dialogut me Serbinë ishte tjetër, shkruan Demokracia.com.

Në një bashkëbisedim në Këshillin e Atlantikut, Kurti tha se Serbia duhet të njohë dokumentet e Kosovës, nëse nuk e njeh shtetin e Kosovës në një kohë të afërt.