Njohësi i çështjeve të sigurisë del në Graçanicë, përplaset me asamblistët: Tash ju kallxojna na juve, e dimë çka po boni

Forcat e policisë së Kosovës janë shtuar në vendin ku ishte vendosur billbordi “Liria ka emër” në Graçanicë, pak orë pasi i njëjti është shkatërruar duke iu vënë flaka.

Në vend të ngjarjes janë parë edhe njësitet e KFOR-it si dhe asamblistët shqiptarë në Komunën e Graçanicës.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Seholli ka thënë se veprimet e tilla janë një sinjal për Qeverinë e Kosovës që duhet të reagojë.

Ai ka thënë se 200 metra nga aty janë banerat me fotografitë e Daçiqit, dhe flamujt e Serbisë.

“Kjo ka të bëjë me veprimet të cilat kështu qysh kanë filluar këta, 200 metra prej këtu e keni fotografinë e Daçiqit dhe pak më tutje flamujt e Serbisë dhe askush nuk i ka ngucë. Ata që e kanë bë këtë duhet të sillen para drejtësisë. Kryetari i Graçanicës ka thanë se ky baner është duke i kërcënuar serbët, ai as nuk e ka përmendur se këtu ka shqiptarë. Ai është fajtori”.

Ai tutje ka thënë se asamblistët shqiptarë në Graçanicë duhet të reagojnë për këto provokime, teksa ka pasur edhe një përplasje me ta.

“Tash ju kallxojna na juve, e dimë shumë mirë çka po boni”, u ka thënë ai.