Serbia

Njohës të sigurisë: Serbia në situatë skizofrenike mes lindjes e perëndimit

Pavarësisht të gjithave, Serbia vazhdon me drejtimin e saj, që është i kthyer drejt Moskës. Njohës të zhvillimeve politike dhe atyre të sigurisë në Beograd vlerësojnë se pikërisht lidhjet e ngushta me Rusinë e vendosin Serbinë në një situatë skizofrene midis lindjes dhe perëndimit.

Nderime dhe mirënjohje nga Rusia për politikanin serb Aleksandër Vulin, bashkëpunimin ushtarak, kontakte politike, dhe mos vendosje të sanksioneve. A është kjo dëshmi se Beogradi është më afër Moskës sesa Brukselit. Këto zhvillime ngrenë përsëri çështjen e marrëdhënieve me Rusinë, dhe pyetjen nëse është tani përcaktimi i qeverisë së Vuçiqit plotësisht i qartë.

“Serbia nuk është neutrale dhe këtë e ka treguar me qëndrimin e saj ndaj Rusisë. Të gjithë elementët flasin në favor të faktit se Vuçiq me strukturën e tij janë shumë më afër sundimit dhe metodës së Vladimir Putinit, Kinës dhe regjimeve të tjera autoritare dhe diktatoriale. Madje bëhet zyrtare se shërbimi rus e nderon zyrtarin serb. Kjo tregon se shteti serb është në shërbim të shtetit rus dhe strukturave të tij të sigurisë”, ka thënë Tomisllav Markoviq, gazetar.

Aleksandër Vulin, i sanksionuar nga SHBA-ja dhe ish-kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë, është politikani i tretë nga Serbia që është nderuar nga Rusia në javët e fundit. Para Vulinit, dy politikanë serbë kanë marrë mirënjohje. Në anën tjetër Vuçiq paralajmëroi bashkëpunim ushtarak me Rusinë, raporton RTK.

“Serbia është në një situatë skizofrene midis Lindjes dhe Perëndimit. Qeveria aktuale po bën gjithçka për të treguar se ne jemi partnerë të NATO-s, kemi bashkëpunim, stërvitje, misione. Nga ana tjetër, ka një trashëgimi bashkëpunimi me Lindjen dhe ka kontrata për armë dhe pajisje ushtarake të nënshkruara më herët. Dhe kjo blerje armësh nga Rusia dhe Kina është një pengesë në komunikimin me Perëndimin”, tha Aleksandar Radiq, analist ushtarak.

Zyrtarët perëndimorë kanë dënuar vazhdimisht lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, duke theksuar se marrëdhënia me Rusinë do të ndikojë shumë në rrugën evropiane të Serbisë.

VIDEO BONUS: Reagon Ilirik Musliu: Shkarkimi im, provokim i ultë nga kryetari Rama ndaj partnerit të koalicionit