Arbër Ismajli, nënkryetar i komunës dhe ish shef i kabinetit të kryetarit të Gjilanit dhe nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri e ka sulmuar ashpër verbalisht shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotin.
“Nuk e kuptoj cirkun për mobilizim në negociata me Serbinë, nuk di si kontestohet legjitimiteti i dikujt që vet e kemi zgjedhë, nuk kanë filluar bisedimet sot me Serbinë, kur kemi qenë në qeveri nuk e kemi neglizhuar e as refuzuar”, ka shkruar Arbër Ismajli i cili është edhe nënkryetar i komunës së Gjilanit, raporton Ballkani.info.
Arbër Ismajli tutje ka thënë se na duhet bashkim politik e jo ndarje.
“Uniteti, ishte amanet i Presidentit Rugova”, ka thënë ai.

Avdullah Hoti e ka marrë “bajrakun” në LDK kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë. Ai vazhdimisht flet në emër të LDK-së, duke kërkuar zgjedhje para se të shkohet në dialog me Serbinë.
Kosova tashmë e ka formuar edhe ekipin negociator që bashkëdrejtohet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.
Në këtë delegacion ka vend edhe për një përfaqësues të LDK-së dhe një të VV-së. Këto dy parti kanë refuzuar të bëhen pjesë e delegacionit. /Ballkani.info/







