Njeriu i Kurtit në MPJD po hesht për Blerim Rekën, për djalin e Haxhi Shalës jepte “udhëzime” publike

Qeveria e Albin Kurtit e ka rekomanduar për Konsull të Përgjithshëm të Kosovës në New York, ish-ministrin e Qeverisë Kurti I, Blerim Rekën, ndonëse nuk lejohet që konsujt të jenë politikë.

Demokracia.com ka siguruar vendimin e ministres Gërvalla-Schwarz për ish-ministrin Reka.

“Mbështetur në nenin 93 pikë 8 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 2 të Ligjit Nr.03/L-044 pikë 7.2, 7.3, 7.4, 7.7 dhe 7.8 në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju dërgoj në besim emrin e z.Blerim Reka, duke e propozuar për Konsull të Përgjithshëm, më New York, Shtetet e Bashkaura të Amerikës.”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga Gërvalla-Schwarz.

Reka pritet ta zë vendin e Frymëzim Isufajt, i cili ishte shkarkuar arbitrarisht nga ministrja Gërvalla në prill të këtij viti.

E ministrja Gërvalla pas ardhjes në pushtet ishte zotuar se s’do të ketë konsuj politikë dhe mbi 50% e ambasadorëve do të jenë diplomatë të karrierës.

“Proporcioni politik dhe diplomatë të karrierës nuk do të tejkalojë në asnjë moment 50-50, do të thotë së paku, jo maksimumi, por minimum 50% e ambasadorëve tanë do të jenë diplomatë të karrierës. Konsuj politik nuk ka në qeverinë tonë, nocioni konsull politik nuk është praktikë ndërkombëtare dhe nuk do të ketë të tillë. Pra të marrim vetëm ambasadorët do të jetë së paku 50% por duke marrë në konsideratë edhe konsujt, atëherë përqindja do rëndojë shumë më tepër nga diplomatët e karrierës sesa nga diplomatët politik”, kishte thënë ajo, përcjell Demokracia.com.

Përveç kësaj deklarate të ministres Gërvalla- Schwarz, ishin zyrtarët e lartë të Lëvizjes Vetëvendosje që kishin alarmuar për një emërim të ngjashëm politik kur djali i ish-deputetit të AAK-së, Haxhi Shalës, Flakron Shala, ishte emëruar Konsull i Përgjithshëm në Çeki.

Njëri prej atyre që kishte reaguar ashpër ishte edhe zëvendësi i tashëm i Gërvallës nga radhët e LVV-së, Kreshnik Ahmeti.

Ahmeti kishte treguar rrugën, që sipas tij duhej ndjekur ligjërisht, për t’u bërë diplomat.

“Rruga ligjore: 1. Testim dhe intervistim në konkursin e jashtëm për t’u pranuar në MPJD (Blerim Reka asnjëherë s’ka hyrë në ndonjë konkurs në MPJD) 2. Nëse hapi i parë është i suksesshëm: minimalisht një vit punë në departamentet e MPJD-së dhe shkollim në Akademinë Diplomatike 3. Pas një viti pune fitohet e drejta për të kandiduar për gradën e parë (më të ulët) diplomatike 4. Nëse Drejtori i Përgjithshëm e bën propozimin dhe Komisioni për Grada dhe Diciplinë e miraton kandidimin e pastaj Ministri/ja e nënshkruan rekomandimin e Komisionit, fitohet grada e parë (më e ulët) diplomatike 5. Nëse hapi i katërt është i suksesshëm: krijohet mundësia për të kandiduar në konkursin e brendshëm të rotacionit, kur të jetë koha e rotacionit 6. Nëse në garën e konkursit të brendshëm, pas vlerësimit të gradës, aftësive dhe vlerësimeve të eprorit, “mposhtë” në garë kandidatët e tjerë për pozitat e njëjta diplomatike, fitohet pozita për të shkuar në mision 6. Pas konkursit të suksesshëm, duhet të kalohen testet e sigurisë dhe pastaj diplomati niset në mision”, kishte shkruar asokohe Kreshnik Ahmeti, përcjell Demokracia.com.

Ai tutje kishte treguar me ironi “rrugën e djalit të Haxhi Shalës për t’u bërë diplomat”.

“1. E blen biletën e aeroplanit dhe niset për në mision diplomatik, si shef i misionit diplomatik pa kandiduar asnjëherë e pa punuar asnjë sekondë në MPJD”, ka shkruar ai.

Të gjitha këto që i ka specifikuar zëvendësministri aktual i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti, vlejnë tash edhe për Blerim Rekën, megjithatë Ahmeti që tani është zëvendës i Gërvallës po e shijon pushtetin dhe po hesht. /Demokracia.com/