Njeriu i afërt me Sami Lushtakun dyshohet për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove

Ish-kryeshefi i ndërmarrjes Publike “Uniteti”, Skender Tahiraj një njeri i afërt i Sami Lushtakut, ka rënë në pranga pasi dyshohet t`i ketë shkaktuar dëm mijëra euro kësaj ndërmarrje. Tahiraj përveç kësaj përballje me drejtësinë, në të kaluar ka pasur aktakuza për ndikim në dëshmitarë, pikërisht për rastin e Sami Lushtakut për krime lufte.
Njeriu i afërt me Sami Lushtakun dyshohet për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove
Skender Tahiraj, njeri i afërt me Sami Lushtakun gjatë kohës sa ka qenë kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Uniteti” Mitrovicë, dyshohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke i ka shkaktuar dëm kompanisë në vlerën prej 118 mijë eurove.

Ai është arrestuar të mërkurën nga departamenti i Krimeve të Rënda i Policisë së Kosovës. Kurse Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar gjykata masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Tahirajt, shkruan Insajderi.

Sipas prokurorisë Tahiraj, dyshohet se gjatë periudhës kohore 2015-2018, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Uniteti”, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllimin që të përfitojë dobi pasurore për vete apo personat e tjerë.

Nga këto veprime të tij, sipas prokurorisë ai ka përfituar një shumë prej 35 mijë eurove, ndonëse punëtorëve shpeshherë u ishin vonuar pagat, për shkak se menaxhmenti kishte lejuar ‘akontacione’ për punëtorë të privilegjuar.

“Në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar në formë të paradhënieve, për vete shumën prej 35, mijë e 337 eurove, ndërkaq për punëtorët e tjerë (dëshmitarët) shumën në vlerë prej 82, mijë e 663 eurove”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Tahiraj dyshohet se mori 35 mijë euro nga Uniteti por cila është e kaluara e tij?

Ish-kryeshefi i Unitetit, Skender Tahiri, përvec tash do të përballet me pretendimet e prokuorisë për keqpërdorimin e parave të taksapaguesve kosovarë, nga pozita zyrtare në të kaluarën ishte përballur edhe me një tjetër akuzë të rëndë.

Ai i është gjendur afër mikut të tij Sami Lushtakut në kohën kur përballej me aktyakuzën për krime lufte.

Tahiri ishte akuzuar si pjesë e grupit që kishin penguar dëshmitarët e prokurorisë për rastin për krime lufte në gjykimin e grupit Drenica, ku akuzohej Sami Lushtaku.

Tahiraj, bashkë me grupin prej tetë personave, sipas aktakuzës vepronin në bazë të një plani të përbashkët nën direktivat e Sami Lushtakut për detyrimin e dëshmitarëve të ndrronin deklaratat.

Këtë veprim sipas aktakuzës e kishin kryer nga qershori i vitit 2013.

“Rrustem Rukolli, Rexhe Gjota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari e Bajram Dibrani akuzohen se prej qershorit 2013 deri sot, duke vepruar nën një plan të përbashkët, nën direktivat dhe udhëzimet e Sami Lushtakut e Ismet Haxhës, akuzuarit vendosën ta formojnë një grup prej së paku tetë personave aktiviteti kryesor i të cilit ishte që t’i pengojnë dëshmitarët e prokurorisë në rastin P. 938/13” thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës ky grup premtuan qindra- mijëra euro për të siguruar që dëshmitarët do t’i ndërrojnë deklaratat, pasi që këta dëshmitarë sipas aktakuzës dhanë deklarata fajësuese ndaj Lushtakut në fazën hetuese.

“Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani akuzohen se në periudhën qershor 2013- shtator 2015 kanë ndërtuar një plan për ta detyruar Dëshmitarin F që ta japë një deklaratë të rrejshme në këmbim të një shume parash prej 109 mijë euro”, thuhej në aktakuzë.

Gjatë kohës sa dihej zyrtarisht se ka aktakuzë ndaj tij, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ai ishte pritur në një takim nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

Këtë person të akuzuar për ndërhyrje në dëshmitarë, Veseli e takoi në fund të vitit 2016. Skënder Tahiraj e kishte publikuar fotografinë e takimit në Facebook.

“Pata nderin ta mbyllë vitin me një takim me Z.Kadri Veselin”, pati shkruar Tahiraj.

Përveç këtij takimi me kryepalamentarin dhe kryetarin e PDK-së, edhe takimet me Lushtakun në vazhdimësi Tahiraj i ka publikuar në Facebook.