Njerëzit në ‘gatishmëri të lartë’ pas shpërthimeve të shumta në Kiev dhe qytete të tjera në Ukrainë

Rusia nisi një breshëri sulmesh në të gjithë Ukrainën, përfshirë në kryeqytetin Kiev, duke synuar infrastrukturën energjetike dhe furnizimin me ujë, thanë autoritetet.

Sipas mediave të huaja, shpërthime të shumta u dëgjuan në të gjithë vendin të hënën në mëngjes, me shpërthime të raportuara në periferi të Kievit, Dnipro, Zaporizhzhia, Kirovohrad dhe rajone të tjera, përcjell Telegrafi.

Alarmet ajrore u shpallën në të gjitha rajonet e Ukrainës, përveç Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014.

Autoritetet lokale raportuan goditje në infrastrukturën kritike në Kiev, Kharkiv, Zaporizhzhia dhe Cherkasy.

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko tha në llogarinë e tij në Telegram se një pjesë e qytetit ka mbetur pa energji elektrike, ndërsa disa lagje të qytetit nuk kanë furnizim me ujë si rezultat i sulmeve.

“Inxhinierët e energjisë elektrike po punojnë për të rivendosur furnizimin me energji elektrike pas dëmtimit të një objekti energjetik që furnizon rreth 350,000 apartamente në Kiev”, ka bërë të ditur Klitschko, duke vënë në dukje se shërbimet e urgjencës po bëjnë “çdo gjë të mundshme” për të riparuar dëmin sa më shpejt të jetë e mundur.

Banorët e Kievit po marrin gjithashtu alarme emergjente në telefonat e tyre duke paralajmëruar për një “probabilitet të lartë të sulmeve me raketa ruse” dhe duke u kërkuar atyre që të shkojnë në strehimoret aty pranë.

Ndërkohë në Kharkiv, kryebashkiaku Ihor Terekhov tha se qyteti është goditur nga dy raketa që synonin “një strukturë kritike të infrastrukturës”.

Ndërsa Oleksandr Starukh, guvernatori i rajonit Zaporizhzhia, tha në kanalin e tij Telegram se forcat ruse kryen një sulm raketor të hënën në mëngjes, duke dëmtuar disa objekte kritike të infrastrukturës.

Një pjesë e Cherkasy ka mbetur gjithashtu pa energji elektrike pas goditjeve në një objekt të infrastrukturës kritike, thanë zyrtarët.

Lidhur me sulmet, ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba shkroi të hënën në Twitter se “një grup tjetër i raketave ruse goditi infrastrukturën kritike të Ukrainës”.

“Në vend që të luftojë në fushën e betejës, Federata Ruse është në luftë me popullsinë civile. Mos i justifikoni këto sulme duke i quajtur ‘përgjigje’. Federata Ruse po e bën këtë sepse ka ende raketa dhe dëshirë për të vrarë ukrainasit”, ka shkruar ai.

Presidenti rus Vladimir Putin intensifikoi sulmet ndaj Ukrainës pas një shpërthimi të 8 tetorit në urën strategjike jetike të ngushticës Kerç që lidh kontinentin e Rusisë me gadishullin e aneksuar të Krimesë, megjithëse Kievi nuk e ka marrë përgjegjësinë.