Një vit pa legjendën Vokrri, djali i tij: Isha me të kur pësoi sulm në zemër (VIDEO)

Gramozi, Alberti dhe Albana mbetën pa baba, Edita pa burrë, ndërsa futbolli i Kosovës pa njeriun më të rëndësishëm, atë që e drejtoi në periudha të ndryshme.

Vdekja e simbolit të futbollit kosovar ishte goditje e rëndë për vendin, por edhe më e rëndë për familjen Vokrri, e në veçanti për djalin e tij të madh, Gramozin.

Gramozi, në rrëfimin e tij dhënë redaksisë së “Sportit në KTV”, ka treguar për herë të parë se mëngjesin 9 qershorit të vitit 2018, ishte bashkë me legjendën Fadil Vokrri, kur ndërroi jetë pas sulmit në zemër.

Edhe pse e kishte parë në gjendje të rëndë, Gramozi thotë se kishte pasur shpresë se do të ngrihet sërish në këmbë, ashtu siç kishte bërë gjithmonë pas dueleve si futbollist.

Në fakt, Gramozi, viteve të fundit e kishte shoqëruar të ndjerin Vokrri në shumë takime gjatë lobimit për pranim të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Ai ka treguar se gjatë takimeve në shumë raste e kishte marrë edhe rolin e përkthyesit.

Për Gramozin dhe vetë legjendën Vokrri, pranimi në UEFA dhe FIFA, do të mbetet “goli më i bukur” i shënuar.

I biri i legjendës është i lumtur që sporti kosovar do t’i gëzojë përherë arritjet e Vokrrit, qoftë si futbollist në fushë, qoftë si udhëheqës i proceseve që Kosovës ia hapën dyert e sportit botëror.

Ndonëse larg familjes, kontakti dhe vizitat me familjarët, siç thotë Gramozi, nuk i kanë munguar.

Se kishte një baba të madh, Gramozi tregon se e kishte kuptuar shumë herët.

Vokrri si lojtar ishte afirmuar te Prishtina, të cilën e udhëhoqi në fushë për gjashtë vjet. Me Vokrrin në krye, që mbante numrin nëntë dhe udhëhiqte sulmin, Prishtina u inkuadrua në Ligën e Parë të shtetit të dikurshëm federativ. Më pas luajti me plot sukses për Partizanin e Beogradit, për Fenerbahçen në Turqi dhe për tri skuadra në Francë. Ishte i vetmi shqiptar që luajti për Jugosllavinë, duke shënuar gjashtë gola në 12 ndeshje.

I madh u tregua edhe si drejtues i FFK-së. E udhëhoqi atë në periudhën më të lavdishme, atë të pranimit në FIFA e UEFA. Kur ndërroi jetë ishte në mes të mandatit të tretë si kryetar i FFK-së.

Stadiumi që u bë i famshëm falë Vokrrit dhe lojtarëve të tjerë të gjeneratës së tij, ai i qytetit të Prishtinës, mban emrin e madh. Emrin Fadil Vokrri.

Sot, në këtë stadium, emri i madh i Fadil Vokrrit është duke u arsyetuar me paraqitjet pozitive që po i bën Kombëtarja e Kosovës.

Gramozi, në fund të rrëfimit, ka treguar se legjenda Fadil Vokrri ia ka lënë edhe një porosi.

Vokrri ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare, u varros në Prishtinë më 10 qershor, por ai vazhdon të shikojë gjithmonë nga lart.