Isa Mustafa

Një vit nga zgjedhjet e fituara nga Osmani e Kurti, Isa Mustafa tregon se kush e solli këtë dyshe në pushtet

Sot një vit janë mbajtur zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë. Vjosa Osmani e Albin Kurtin ishin prijës të listës që shënoi fitore rekorde sa i përket shifrave dhe numrit te deputetëve.

Një vit nga zgjedhjet, ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa thotë për Indeksonline se tani është me rëndësi çfarë mendojnë ata që i kanë votuar Osmanin e Kurtin.

“Unë nuk e kam votuar Vetëvendosjen, sepse edhe para një viti kam qenë i bindur se, veç propagandës e fyerjeve, as z. Kurti e as znj Osmani nuk dinë të punojnë dhe ta drejtojnë shtetin. Tani është me rëndësi çfarë mendojnë ata që i kanë votuar dhe ata që i kanë ndihmuar sikurse edhe ata që lobonin për ta në studio televizive e në portale, si në stadiume të futbollit. Sepse, ata i sollën në pushtet” ka thënë ish-kryeministri për Indeksonline.

Sa i përket punës në qeverisje dhe presidencë, Mustafa thotë se është një lidership me logjikë arbitrare.

“Unë shoh një lidership me logjikë arbitrare, me tendenca të mohimit të çdo të arriture nga çlirimi e këndej dhe pa vizion zhvillimor e demokratik për të ardhmen. Uroj të jetë ndryshe” ka thënë Mustafa në një prononcim për Indeksonline.