Tensionet në veri

Një vit nga fillimi i tensioneve më të mëdha në veri, kryetarët e përshkruajnë si tejet të vështirë atë ditë

Këtë të diel, bëhen saktësisht një vit që nga momenti kur filluan trazirat më të mëdha pas pavarësisë së vendit në Veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – e kritikat më të ashpra – si kurrë më parë – të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.

E gjithë kjo kishte ardhur pasi që Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që përmes ndihmës së policisë t’i instalonte në zyrat e tyre kryetarët shqiptarë të komunave Veriore – Izmir Zeqirin në Zubin Potok, Ilir Pecin në Zveçan dhe Lulzim Hetemin në Leposaviq – që ishin zgjedhur më 23 prill të vitit të kaluar, në një proces zgjedhor që ishte bojkotuar nga serbët lokalë.

Ky vendim kishte hasur në rezistencë të ashpër të serbëve, të cilët kishin përdorur edhe mjete jodemokratike për të kundërshtuar futjen e kryetarëve në zyrat e tyre.

Kësisoj, edhe Policia e Kosovës ishte detyruar që të përdorte gaz lotsjellës e bombola gazi për t’i futur Zeqirin, Hetemin dhe Pecin në zyrë.

“Momenti ishte i vështirë”, thotë për “Albanian Post” kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, teksa kujton momentet e asaj dite. “Ne fillimisht hasëm në rezistenca të papritura edhe të qytetarëve, por edhe të grupeve kriminale. U përballëm edhe me gjuajtje me armë dhe protesta të dhunshme”, tregon ai.

Izmir Zeqiri duke hyrë në objektin e Komunës së Zubin Potokut nën përcjelljen e Policisë.

Pak ditë më pas, konkretisht më 29 maj, situata do të eskalonte edhe më tej kur protestuesit e dhunshëm serbë do të sulmonin ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Ditët e muajt e parë ishin tejet të vështirë për shkak të ndikimit të grupeve terroriste të mbështetura nga Serbia. Ndikimi i tyre mbi qytetarët shumicë serbë, duke i bindur ata që të rezistojnë ata në mënyra të ndryshme, por duke mos e përjashtuar edhe dhunën”, potencon Zeqiri.

Por, ndryshe nga seç ishte, aktualisht, në vlerësimin e Zeqirit, situata atje është e mirë.

“Kemi ardhur në një normalitet të plotë të funksionimit, të kemi komunikim me popullsinë lokale, kemi bashkëpunëtorë serbë në kabinet, kemi hapur vende të punës për serbët kryesisht, kështu që jemi në rrugë të duhur”, thekson i pari i Zubin Potokut për AP.

26 maji i 2023-së ishte vetëm fillimi i tensioneve që do të zgjasnin për muaj me radhë, dhe fajtore për këtë do të bëhej Kosova.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, njëzëri e kishin dënuar atë se çfarë kishte ndodhur më 26 maj, derisa kritikat ndaj qeverisë, posaçërisht ndaj kryeministrit Albin Kurti, kishin qenë të ashpra, pasi që këto veprime nuk kishin qenë të koordinuara me ta.

Përmes një postimi në platformën X (atëherë Twitter), Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte thënë se shteti që ai përfaqëson e “dënon ashpër aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në Veri dhe po rritë pasigurinë”.

Ai i kishte bërë thirrje kryeministrit Kurti që të tërhiqet menjëherë.

“Thërrasim kryeministrin Albin Kurti që menjëherë të ndalë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, shkruante Blinken.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Edhe më i ashpër në reagim kishte qenë Departamenti Amerikan i Shtetit.

Nga DASH kishin bërë me dije se “këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhej në komunikatën e tyre.

Reagime të ngjashëm kishte pasur edhe Bashkimi Evropian, por edhe nga vendet më të fuqishme përbërëse të Unionit, si Franca, Gjermania e Italia.

26 majin do ta pasonte 29 maji. Situata këtë ditë ishte edhe më e rëndë.

Shumë më të organizuar seç kishin qenë para ditëve, serbët lokalë sulmuan brutalisht ushtarët e KFOR-it, të cilët kishin marrë situatën në kontroll në Veri të vendit.

Pamje gjatë përplasjes.

Si pasojë e sulmeve të serbëve ishin lënduar dhjetëra ushtarë të misionit të NATO-s, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Ushtarët e lënduar të KFOR-it.

Reagime kishte pasur përsëri nga bashkësia ndërkombëtare. Ndonëse kishin dënuar sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, përsëri faji kishte mbetur te Kosova, përkatësisht te Kurti.

Pas kësaj dite tejet të rëndë, serbët lokalë kishin vazhduar protestat e tyre për ditë me radhë, por nuk kishte më dhunë.

Rritja e tensioneve kishte shtyrë NATO-n që të marrë vendim për shtimin e trupave në radhët e misionit të tij në Kosovë.

Përkeqësimi i situatës mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdonte më 14 qershor. Xhandarmëria serbe kidnapoi, brenda territorit të Kosovës, 3 policë kufitarë të Kosovës, të cilët do të liroheshin vetëm pas presionit të madh ndërkombëtar.

Policët e Kosovës të kidnapuar nga Serbia.

Përveç se e kishte situatën brenda vendit (në pjesën Veriore) të tensionuar, Kosova edhe në aspektin ndërkombëtar ishte në pozitë aspak të palakmueshme. Ndaj saj do të ndërmerreshin masa ndëshkuese, përjashtimi nga “Defender Europe 2023”, dhe masat ekonomike dhe politike që BE-ja i mori ndaj Prishtinës zyrtare – ende në fuqi.

Por, kulmi i tensioneve do të arrite në orët e para të 24 shtatorit.

Një grup terroristësh do të sulmonte Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, dhe duke plagosur një tjetër.

Vendi ku ndodhi sulmi terrorist.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – kishte marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas ishte liruar nga paraburgimi.

Serbia nuk ishte distancuar fare nga sulmi, madje kishte shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Lidhur me sulmit terrorist, organet e rendit kanë sekuestruar arsenal të madh armësh në Zveçan, të cilat u shfaqën para opinionit publik nga Policia e Kosovës pas sulmit në Banjë, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.

Vendet perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe BE-në, e kishin dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar vazhdimisht që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, pas kësaj ngjarje, Serbia do të dislokonte një numër të madh të ushtrisë së saj përgjatë vijës kufitare me Kosovën, por do ta largonte pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare.