Një varkë me vela u përmbyt në Liqenin e Ohrit, policia shpëton tre persona

Policia për mbikëqyrje kufitare “Liqeni i Ohrit” sot intevenoi për shpëtim gjatë situatës me përmbytjen e një varke me vela në ujërat e liqenit.

Intevenimi vijoi pasi më parë rreth orës 17:45 në SPB Ohër ishte denoncuar se ishte përmbytur një objekt lundrues në ujërat e Liqenit të Ohrit.

Rreth orës 18 objekti lundrues është gjetur dy kilometra nga bregu dhe ishte konfirmuar se bëhet fjalë për përmbytje të një varke me vela në të cilën kishte tre persona.

Siç informoi zëdhënësi i SPB – Ohër, Stefan Dimovski, personat e moshës 53, 50 dhe 49- vjeçare, të gjithë nga Shkupi, janë gjetur në gjendje të mirë shëndetësore, pa lëndime dhe sipas dëshmisë së tyre shkak i aksidentit ka qenë era e fortë.

Ekipet e policisë së liqenit e kishin kthyer varkën e përmbytur në gjendje lundruese, ndërsa personat janë dërguar në objektin akomodues.