Një tekst nga BE-ja për “Paradën e Krenarisë” që do t’i shkaktojë problem serioz Vuçiqit

Bashkimi Evropian shprehu keqardhjen e tij për vendimin e Serbisë për të anuluar ose shtyrë “EuroPride”, duke theksuar se vendet anëtare të Bashkimit Evropian mbështesin barazinë dhe kundërshtojnë çdo formë diskriminimi.

Në tekstin e publikuar nga Euroaktiv, një nga portalet më relevante të specializuara për monitorimin e ngjarjeve brenda BE-së, kujtohet se Vuçiq ka njoftuar të dielën se EuroPride, një ngjarje vjetore e organizuar çdo vit nga një kryeqytet tjetër evropian, është anuluar këtë vit për shkak të “kriza e rëndësishme në Kosovë”, mirëpo kjo arsye nuk u pranua nga Komisioni Evropian.

“Për vite me radhë, EuroPride ka mbrojtur të drejtat e barabarta të qytetarëve LGBTQ+ në të gjithë Evropën, duke u dhënë zë atyre që shpesh diskriminohen për shkak të orientimit të tyre seksual. Këto janë të drejta themelore për BE-në dhe ne presim që partnerët tanë të ngushtë t’i respektojnë ato”, tha zëdhënësja e Komisionit Ana Pisonero.

“BE do të mirëpriste sqarime të mëtejshme nga autoritetet në Serbi në lidhje me vendimin e tyre për të anuluar EuroPride, i cili supozohej të mbahej në shtator,” tha ajo.

Ambasadori i BE-së në Serbi Emmanuel Joffre shprehu zhgënjimin e tij dhe tha se partnerët e BE-së duhet të jenë në përputhje me të drejtat dhe barazinë.

“BE mbështet barazinë dhe refuzon çdo formë diskriminimi. EuroPride ka mbrojtur të drejta të barabarta për njerëzit LGBTQ+ në të gjithë Evropën për shumë vite, duke u dhënë zë atyre që shpesh diskriminohen për shkak të orientimit të tyre seksual,” shkroi ai në Twitter, duke shtuar se ” këto janë të drejta themelore për BE-në dhe ne presim që partnerët tanë më të afërt ta mbështesin atë.”

Vendimin e Beogradit e ka komentuar edhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, i cili ka thënë se shpreson që ai ende të jetë mikpritës i EuroPride-it të ardhshëm.

“Në parim, nuk është kurrë mirë të zbulohet një prapambetje në mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut”, tha Bilçik në një intervistë për N1 TV.

“Nëse mbajtja e paradës është një problem, ne duhet të pyesim veten nëse, si partnerë ndërkombëtarë, mund të mbështetemi tek Serbia për të përmbushur pritjet në fusha të tjera ose për të respektuar angazhimet e tjera që ka pranuar,” tha Bilçik.

Në ndërkohë, kryeministrja serbe, Ana Brnabiq u takua me anëtarët e Parlamentit Evropian Viola von Kramon dhe Terry Reindke nga grupi i të Gjelbërve/EFA për të diskutuar këtë çështje.

Rajndke, nënkryetar i ndërgrupit parlamentar LGBTQ+, tha se “ne e kemi bërë të qartë se Qeveria e Serbisë duhet të bëjë gjithçka për të mbrojtur lirinë e tubimit – dhe për pakicat.”

Kramon shtoi: “E gjithë Evropa do të shikojë dhe ne ende besojmë se autoritetet serbe mund të lehtësojnë një paradë paqësore krenarie. Kryeministrja premtoi se do të përpiqet të gjejë një zgjidhje me komunitetin serb LGBTQ+ që shpresojmë të kënaqë të gjitha palët”.

Pavarësisht argumentit të Vuçiqit se anulimi është pasojë e situatës në Kosovë, shumë figura politike në Serbi janë kundër mbajtjes së EuroPride – që është një problem tjetër.

Kryetari i Beogradit, Aleksandar Shapiq, tha se nuk pajtohet me mbajtjen e ngjarjeve si EuroPride.

Në një intervistë për TV Prva, Shapiq tha se problemi nuk është mbajtja e EuroPride apo shprehja e orientimit seksual, por “si duket”, duke shtuar se “ajo bie në kundërshtim me disa nga vlerat tona tradicionale”.

Presidentja e EPOA, Kristine Garina i bëri thirrje Brnabiqit të respektojë premtimin e saj për të mbështetur ngjarjen.

“Presidenti Vuçiq nuk mund të anulojë ngjarjen e dikujt tjetër”, tha Garina dhe shtoi se “e drejta për të mbajtur Pride është një e drejtë themelore e njeriut sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. /Ballkani.info/