Lavdije Murati

Një shqiptare kujdeset për trajtimin e këmbëve të futbollistëve të Italisë

Italia e ka kaluar me sukses vetëm një pjesë të rrugës në Evropianin që po mbahet në Gjermani. I mbetet edhe shumë rrugë për ta realizuar synimin – mbrojtjen e titullit.

Ndalesën e parë pas përfundimit të fazës grupore, Italia e ka të shtunën në Berlin, ku luan kundër Zvicrës.

Tek Italia kanë shpresë se do ta kalojnë me sukses Zvicrën, për ta vazhduar rrugën drejt mbrojtjes së titullit. Nëse Italia kalon helvetikët, hise në merita do ta ketë edhe Lavdije Murati, që është e angazhuar për kujdesin ndaj këmbëve të lojtarëve te skuadra gjermane, Borussia Dortmund. Ajo të enjten u angazhua për t’u përkujdesur për këmbët e lojtarëve të Italisë.

Nga ora 10:00 deri në ora 17:30 trajtoi këmbët e lojtarëve të Italisë në Iserlohn, 40 kilometra larg Dortmundit.

 “Nëse fitojnë ndaj Zvicrës, do të jem sërish në kampin e Italisë. Në fakt, do të jem deri në fund të rrugëtimit të Italisë”, ka treguar Lavdije Murati.

Ajo nuk tregon shumë për futbollistët italianë.

“Ishin të gjithë vërtetë shumë të këndshëm. Më kanë lënë përshtypje shumë të mirë. Ishin të informuar për punën time. Nuk kisha nevojë t’u tregoja se kush jam dhe çfarë bëj”, thotë Lavdija. Ajo është nga Kosova, por jeton prej kohësh në Gjermani.

“Të gjithë lojtarët dhanë nga një autogram për vajzën time Alarën”, tregon Lavdija, e cila për shumë vjet është e angazhuar te Dortmundi.

“Nuk e kam menduar se do të isha e përfshirë në Evropian, aq më tepër të trajtoja këmbët e lojtarëve të Italisë. Më ka kontaktuar një zyrtar i UEFA-s. Më pas më kontaktuan edhe nga Dortmundi dhe më thanë t’i lë punët në klub dhe të shkoj për t’i trajtuar këmbët e lojtarëve të Italisë”. /Ballkani.info