Shkolla “Arif Shala” në Korroticë e Poshtme të Drenasit për dy javë do ta vijojë procesin mësimor online. Kjo për arsye se pjesëtarë të stafit mësimdhënës kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
Drejtori i kësaj shkolle, Murtez Shala, ka bërë me dije për këtë vendim pas marrjes së rezultateve nga IKSHPK-ja, ku ishin testuar 26 mësimdhënës, katër nga ta kanë dalë pozitivë.
“Në bazë të rekomandimit të IKSHPK-së dhe koordinimit me DKA në Drenas, vendosëm që për këto dy javë, procesi mësimor të zhvillohet sipas skenarit C të MASH – online. Për çdo informacion, apo ndryshim të situatës, do të njoftoheni me kohë. Të prekurve nga virusi, drejtoria e shkollës iu uron shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në procesin edukativo-arsimor”, ka thënë Shala.
Ndryshe, SHFMU “Arif Shala” ka 319 nxënës dhe 28 mësimdhënës. Procesi mësimor për gjysmëvjetorin e parë këtë vit shkollor në nivel vendi do të përfundojë më 18 dhjetor, më herët se sa ishte paraparë, për shkak të gjendjes me pandeminë e koronavirusit.






