Një objekt i dyshimtë nën tubacionin e Nord Stream, Putin hedh dyshime për SHBA-në

Një objekt i dyshimtë është parë nën tubacionin rus të gazit natyror Nord Stream 2. Presidenti Vladimir Putin ka hedhur dyshimet se mund të jetë një mjet shpërthyes ndërsa drejton gishtin nga SHBA.

Në deklaratat e sotme, studiuesit danezë pohuan se objekti dukej si një antenë, sipas “Daily Mail”.

Presidenti rus tha konkretisht se një anije e marrë me qira nga gjigandi energjetik “Gazprom” gjeti një objekt që dukej si një antenë, rreth 30 kilometra nga vendi ku ndodhi një shpërthim vitin e kaluar në këtë tubacion të gazit natyror.

Ai shtoi gjithashtu se objekti mund të jetë një mjet shpërthyes dhe të shkaktojë një tjetër shpërthim në tubacionin rus.

“Ne u kemi kërkuar autoriteteve daneze të bashkëpunojnë,” tha Putin në një intervistë me rrjetin televiziv shtetëror të Rusisë “Rossiya-1”.

Për më tepër, Putin hodhi poshtë si “të pakuptimta” pretendimet se ukrainasit mund të qëndrojnë pas shpërthimeve të gazsjellësit të vitit të kaluar në Detin Baltik dhe fajësoi edhe një herë SHBA-në, duke thënë se vetëm Uashingtoni dëshiron të sabotojë “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2”.

Nga ana e saj, Danimarka theksoi se po shqyrton nëse “objekti” i gjetur nën tubacionin e gazit natyror “Nord Stream 2” paraqet rreziqe sigurie apo mjedisore.

“Duke pasur parasysh vendndodhjen e objektit, autoritetet përkatëse janë duke vlerësuar çështjet e sigurisë dhe mjedisit,” shkroi ministria e jashtme daneze në një letër drejtuar Kremlinit. /abcnews.al