Një muaj paraburgim serbit që dyshohet për djegie të veturave në veri dhe sulm ndaj policisë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka informuar sot se është caktuar një muaj paraburgim ndaj një personi, i cili dyshohet se ka kryer pesë vepra penale.

Sipas gjykatës, i pandehuri M.B, dyshohet se ka kryer veprat penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasja në tentative”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” si dhe “Zjarrvënie”.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.B e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi të pandehurit i llogaritet prej kohës së ndalimit dhe atë prej datës 01.04.2023 deri me datë 01.05.2023.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.