LAJMI I FUNDIT

Një muaj paraburgim për zëvendësdrejtorin e gjimnazit të Malishevës që dyshohet për sulm seksual ndaj nxënëses

Gjykata Themelore e Gjakovës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për zëvendësdrejtorin e gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, i cili dyshohet se ka sulmuar seksualisht një nxënëse.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Gjykata Themelore e Gjakovës.

“Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit A. K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të sulmit seksual. Sipas kërkesës, “rasti ka ndodhur më 16 dhjetor 2021, në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë”, ndërsa Prokurori i Shtetit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh”, thuhet në njoftim.

Tutje Gjykata bën të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit për të pandehurin.

“Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, të martën ka deklaruar për Express se rasti dyshohet se ka ndodhur më 16 dhjetor, në ambientet e gjimnazit, ndërkaq është raportuar në polici më 20 dhjetor, nga babai i nxënëses.

“Në stacionin policor Malishevë me datë 20.12.2021 rreth orës 21:30 është paraqitur ankuesi dhe ka raportuar një rast të Sulmit Seksual që kishte ndodhur ndaj vajzës së tij te mitur. Sipas ankuesit rasti kishte ndodhur me date 16.12.2021 në ambientet e Gjimnazit “Hamdi Berisha” ne Malisheve, ku vajza e tij vijon mësimet si nxënëse e kësaj shkolle”, ka deklaruar për Express zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj.

Gjurkaj ka deklaruar se ngacmimi dyshohet të ketë ndodhur në njërën prej banjave të shkollës, ku viktima ishte brenda në tualet.

“Ngacmimi seksual dyshohet te jete bere nga ana e personit i cili ne kete shkolle mban pozitën e zëvendësdrejtorit. Ngjarja sipas ankuesit kishte ndodhur ne njërën prej banjave te kësaj shkolle kur viktima ishte brenda ne tualet dhe aty kishte hyrë edhe i dyshuari dhe e kishte ngacmuar seksualisht viktimën”, ka deklaruar ai.

“Lidhur me këtë rast është intervistuar viktima dhe i dyshuari si dhe disa dëshmitarë. Hetimet janë ne fazën e grumbullimit te provave te tjera dhe për zhvillime te me tejme ju njoftojmë me raport shtese. Me vendim te prokurorit i dyshuari ndalet ne mbajtje për 48 orë”, ka thënë Xhurkaj.