Një muaj paraburgim për të pandehurin për shkak të katër veprave penale

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.J. për shkak të veprave penale Mospërfillja e Gjykatës lidhur me nenin 25 të ligjit për Dhunë në Familje, Asgjësimi apo dëmtimi i pronës dhe Kanosje sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit B.J. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri B.J. ka kryer veprat penale që i vihen në barrë pasi më datë 22.05.2019 i ishte afruar banesës së palës së mbrojtur P.J. e që me urdhër të Gjykatës e kishte të ndaluar, ndërsa me datë 30.06.2019 i pandehuri kishte gjuajtur xhamin e banesës së palës së mbrojtur, më pas kishte vrapuar në drejtim të palës së mbrojtur dhe me grusht kishte dëmtuar xhamin e derës së hyrjes së objektit. Me datën 02.07.2019 i pandehuri me një mesazh dhe telefonatë e kishte kërcënuar djalin e tij, tani të dëmtuarin P.J. duke shkaktuar frikë dhe ankth tek të dëmtuarit.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit nga neni 187 par.1 nën par.1.1, 1.2, 1.2.1, dhe 1.2.3 të KPPK-së.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.