Një muaj paraburgim për personin që dyshohet se e sulmoi Faton Shoshin

Gjykata Themelore e Prishtinës, i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të dyshuarit për sulm ndaj Faton Shoshit, drejtorit të portalit Indeks-Online, i njohur si menaxher i yjeve të estradës.

Rasti është cilësuar si lëndim i rëndë trupor.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Faton Shoshi,  drejtor i portalit Indeks-Online, i njohur si menaxher i yjeve të estradës, është sulmuar të hënën rreth orës 23:00 në Prishtinë.

Sipas njoftimit të policisë, Shoshi kishte pësuar lëndime trupore dhe i njëjti ishte dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë në rajonin e Prishtinës kishte thënë për KALLXO.com se në lidhje me rastin ishte arrestuar një person i dyshuar.

“ Lidhur me rastin është arrestuar K.B., 26 vjeçar. Pas intervistimit është dërguar në mbajtje 48 orë”, tha Ahmeti për KALLXO.com.