Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të kompanisë “Uniteti” në Mitrovicë, Skender Tahiraj, i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtarë.

Skender Tahiraj, po dyshohet se në pozitën e kryeshefit ekzekutiv, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke i shkaktuar dëm Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë, në shumë prej 118.000 euro.Sipas vendimit të kësaj gjykate, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, masa e paraburgimit Tahirajt i është caktuar nga gjykatësi Ali Kutllovci, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, më 14 shkurt 2019.Masa e paraburgimit sipas këtij aktvendimi, Skender Tahirajt, i llogaritet nga 13 shkurti dhe do të zgjasë deri më 13 mars të vitit 2019.

Tutje në aktvendimin e gjykatës thuhet se, pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë, është gjetur se provat e siguruara nga prokuroria, janë relevante dhe të besueshme për rastin konkret.Kërkesa e prokurorisë ishte kundërshtuar nga ana e mbrojtësit të të dyshuarit Tahiraj, avokatit Behar Ejupi, pasi që sipas tij nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Bazuar në aktvendim, i akuzuari Tahiraj kishte deklaruar se kompania nuk është dëmtuar për shkak të këtyre paradhënieve për të cilat dyshohet, pasi që sipas tij të gjitha paratë janë të evidentuara dhe nuk ka pasur qëllim të fshehjes.Ndryshe, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, për caktim të masës së paraburgimit, të parashtruar më 14 shkurt 2019, Skender Tahiraj po dyshohet se në pozitën e kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë, gjatë periudhës kohore 2015-2018,duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për vete apo për personat e tjerë.

Në kërkesë thuhet se Tahiraj, ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm në formë të akontacioneve/paradhënieve për vete shumën prej 35.337,00 euro, ndërsa për punëtorët e tjerë shuma të ndryshme të parave, në total shumën prej 118.000 euro.

Me këtë, po dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi