Një muaj nga Marrëveshja Kosovë-Serbi, Joseph e sfidon BE-në: A u përmbush kjo pikë e Aneksit

Janë bërë plot një muaj që nga arritja e marrëveshjes së Ohrit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në Aneksin e Implementimit për të cilin janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është edhe pika e gjashtë në të cilën flitet për themelimin e një Komiteti të Përbashkët të Monitorimit që do të drejtohet nga Bashkimi Evropian.

Analisti amerikan, Edward Joseph, e ka ngritur si çështje këtë pikë, nëpërmjet një postimi në ‘Twitter’.

Ai ka thënë se ky afat prej një muaji tashmë ka kaluar kur duhej të themelohej ky Komitet i drejtuar nga BE-ja për të mbikëqyrur implementimin e të gjitha pikave të marrëveshjes.

Joseph ka pyetur nëse ky Komitet është themeluar, dhe nëse po, ka thënë se BE-ja duhet ta bëj publik. Por thotë se Brukseli duhet të tregojë edhe nëse s’ka ndodhur diçka e tillë, raporton Express.

Ai tutje ka shkruar se Washingtoni dhe Brukseli duhet ta marrin seriozisht marrëveshjen që e kanë draftuar dhe që e kanë imponuar, meqë thotë se edhe besueshmëria e BE-së dhe SHBA-së janë në pyetje bashkë me palët.

“Afatet dhe formalitetet kanë rëndësi”, ka shkruar Joseph.