Një infermier thotë se u rrah pasi nuk lejoi xhirimin me telefon, protestojnë punëtorët shëndetësorë

Mjekë dhe infermierë janë mbledhur para objektit të Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, të enjten, për të protestuar ndaj sulmit fizik mbi punonjësin e kësaj qendre.

Infermieri i sulmuar ka thënë se e gjithë ngjarja ka ndodhur pasi që të birit të një pacienteje i ishte ndaluar xhirimi me telefon, teksa nënës së tij po i ofrohej ndihma mjekësore.

“I kam thënë: Të lutëm e ke të ndaluar të fotografosh dhe të incizosh ekipin. Pa pritur më ka kapur për dore dhe ka nisur sulmin ndaj meje me grushte në fytyrë, kokë dhe prapa shpinës”, ka deklaruar infermieri.

Ai ka treguar se rasti është raportuar në Polici, e cila, sipas tij, nuk është treguar korrekte.

“Kemi shkuar në polici, kemi dhënë deklaratën, policia nuk ka qenë e drejtë ndaj ekipit mjekësor, na kanë bërë presion shumë. Rasti është dërguar edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe tani po presim çfarë do të bëhet. Personi në fjalë është liruar”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Policia e Kosovës i ka thënë KOHËS se ky rast është në proces të hetimeve.

“Më datën 28.03.2021, është hapur rasti lëndim trupor në stacionin policor jugu në Prishtinë. Palët e përfshira në rast janë intervistuar dhe në koordinim me prokurorinë po ndërmerren veprimet e mëtejme hetimore”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Drejtori i Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, Avdyl Pacolli, ka kërkuar që sulmet e tilla të ndalen.

“Dhuna dhe brutaliteti i qytetarëve ndaj stafit të mjekësisë urgjente është arsyeja e daljes në protestë. Me datë 29.03.2021 pas arritjes në shtëpi të një qytetari, infermieri ynë është sulmuar fizikisht në mënyrë “makabër” nga djali i gruas për të cilën është thirrur urgjenca”, ka deklaruar ai.

Sulmet mbi stafin mjekësor nuk janë të rralla. Ndërkohë, sipas të dhënave të Policisë Kosovës, gjatë vitit 2020 janë ndërmarrë 88 sulme ndaj personave zyrtarë, përfshirë të gjitha profesionet.