Lajmi i fundit

​Një i vdekur dhe 67 raste pozitive me COVID-19 në dy javët e fundit në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar të mërkurën se në dy javët e fundit në vend është raportuar një rast i vdekjes nga COVID-19 dhe 67 raste pozitive.

Sipas njoftimit, numri më i madh i rasteve i takojnë grup-moshave 50-59 vjeç (me 16 raste) dhe 60-69 vjeç (me 15 raste) me moshë mesatare 52 vjeç.

“Prej rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga Komuna e Prishtinës (25 raste), Pejës (8 raste) dhe Gjakovës (7 raste), kurse incidenca më e lartë e rasteve është raportuar në Komunën e Prishtinës me 13 raste në 100,000 banorë dhe Kaçanikut me 12 raste në 100,000 banorë”, thuhet në njoftimin për media të IKSHPK-së.

Tutje thuhet se përkundër rasteve të shënuara së fundi, situata epidemiologjike në Kosovë me COVID-19 mbetet e qetë, ndërsa qytetarët që manifestojnë shenja të infeksionit këshillohen të testohen dhe konsultohen me mjekun për çdo dyshim.