Një fëmijë 12 vjeçar sulmohet nga qentë endacak në Prishtinë, nëna paralajmëron padi për Komunën

Një fëmijë 12 vjeçar në Prishtinë sot është sulmuar nga qentë endacak. Lajmin e ka bërë të ditur nëna e e 12 vjeçarit, Vlora Konushevci.

“Sot, në orën 11:15, edhe djali im 12 vjeç është sulmuar nga qentë endacak. Njëri prej tyre e ka kafshuar për të cilën gjë është dashur trajtimi mjekësor. Djali ka qenë veç vet duke u kthyer prej ushtrimeve në rrugën C. Fati i tij që ishte mesi i ditës dhe disa punëtorë të ndërtimtarisë i kanë dalë në ndihmë, duke shpëtuar nga lëndimet më të mëdha fizike, teksa për pasojat psikike s’po flasë. Në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ku e dërgova për trajtim, mjekja më tregoi që çdo ditë i pranojnë nga 4-5 raste të fëmijëve që sulmohen nga qentë endacakë vetëm në atë lagje (Mati 1)”, ka shkruar ajo.

Konushevci i ka bërë thirrje kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti që të marrë masa.

“Kryetar Shpend A. Ahmeti, a duhet me vdekë ndonjë fëmijë që ju me marr masa për këtë fenomen të rrezikshëm? Sa fëmijë apo pleq duhet me u lëndu apo rreziku për jetë që ju me reagu? Në veçanti kur tash do të fillojë procesi mësimor dhe fëmijëve u fillon mësimi në 7:30! “, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo ka shkruar se lajme të tilla lexon çdo ditë nëpër mediat tona.

“Unë s’kam nevojë për alarm! Gjumin ma nxjerrin hungërimat e llavës së qenve endacak, agresivë dhe të shumtë në numër. “Shihni plagët e 9 vjeçares që u sulmua nga qentë endacak”, “Një punëtorë i “Pastrimit” sulmohet nga qentë endacak”, “Qentë endacak sulmojnë dy qytetarë në shesin “Zahir Pajaziti”, “Sulmohet nga qentë endacakë dhe merr lëndime trupore – Komuna e Prishtinës nuk ia mori parasysh ankesën”, “Qentë endacakë uzurpojnë Prishtinën”. Këto janë veç disa nga rastet e raportuara në media këta dy muajt e fundit”, ka kujtuar Konushevci.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë pasur raste të tilla që t;i bëjnë bahskë të gjitha faktet dhe ta padisin komunën e Prishtinës.

“Bashkëqytetarë të dashur, me anë të kësaj letre publike ju ftoj të gjithë ju që keni pas përvoja të tilla të më kontaktoni në mënyrë që t’i bëjmë bashkë faktet, të angazhojmë një avokat bashkërisht dhe ta padisim komunën e Prishtinës!”, ka shkruar ajo.