Një epror i UÇK-së nesër deklarohet për aktakuzën që i ngriti Gjykata Speciale

Tashmë dihet se Gjykata Speciale ka ngritur dy aktakuza ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së. Kjo gjykatë ka gjashtë muaj kohë që të marr vendim për aktakuzat e Prokurorisë së Specializuar.

Hysni Gucati, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka zbuluar se një ish-epror i UÇK-së nesër do të dalë në publik për të folur rreth aktakuzës që iu është ngritur.

Sipas Gucatit ai është një person hierarikisë së lartë, por emri tij do të bëhet i ditur vetëm nesër gjatë ditës.

“Një prej tyre është i hierarkisë së lartë, të nivelit të lartë, që ka qenë në lëvizje popullore, emri i tij do të bëhet publik tek nesër. Ashtu jemi marrë vesh me kolegun, që nesër do të bëhet publik. Ka qenë i profilit të lartë, në hierarkinë e luftës së parë të lëvizjes popullore që ka qenë…Ka qenë në pushtet, i njohur para lufte, tani nuk është në pushtet, por emri do të bëhet publik nesër,” ka thënë Gucati.

Ndërkaq, Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka bërë të ditur se Presidenti i Specializuar ka caktuar një gjyqtar që do të shqyrtojë akuzat e paraqitura.

Griep gjithashtu ka bërë të ditur se përmbajtja e aktakuzave për momentin është konfidenciale dhe vendimi për pranimin e aktakuzave mund të marrë kohë deri në gjashtë muaj.

“Kreu i trupit gjykues ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake që ta rishqyrtojë aktakuzat e ngirtura nga prokurori i Speciales. Në këtë pikë, aktakuzat e pakonfirmuara janë rreptësisht konfidenciale. Gjykatësi i procedurës paraprake ka deri gjatë muaj kohë që të marrë një vendim nëse do të heq ose të pranojë aktakuzën,” thuhet në përgjigjen e Angela Grip për KosovaPress.

Ndryshe, Gjykata Speciale u krijua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës për të gjykuar krimet e kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë luftës.