Një ditë para protestës kundër Vuçiqit, kërcënohen të punësuarit e televizionit të pavarur serb

Një ditë para protestës së paralajmëruar në Beograd kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit, televizioni N1, që konsiderohet si më i pavaruri në Serbi, të punësuarit e tij, por edhe familjet e të punësuarve, kanë marrë kërcënime të rënda në rrjetet sociale dhe përmes postës elektronike.

Në një postim në Twitter, personi që përdor profilin me emrin @JerinaOpicena ka shkruar: “Të shtunën kur @N1infoBG të fillojë luftën vëllavrasëse, të hyjmë në @N1infoBG dhe të ndërpritet program, mos të ketë dhunë, por të gjithë t’i nxjerrim në rrugë. Askush nuk mundet të punojë ilegalisht në Serbi, të propagandojë fashizëm, të bëjë thirrje për luftë civile. Nëse shteti nuk reagon, ne #Mi333 do ta bëjmë, raporton Ballkani.info.

Në porosinë tjetër që ka arritur në adresë të redaksisë së këtij televizioni, personi që është prezantuar si Simo periq, ka shkruar: “Të dhënat e mija I keni. Nuk është profil i rremë. Dua të them që nesër mos të qani për atë që do të ndodh apo ajo që do t’ju ndodh të afërmve tuaj. Ju, vetëm ju, N1 jeni shkaktarët, do të ketë edhe viktima. Nuk besoni?”

Televizioni N1 për këtë kërcënime i ka njoftuar institucionet përgjegjëse dhe grupin punues për sigurinë e gazetarëve.

Javëve të fundit në Serbi janë organizuar disa protesta kundër sistemit social dhe politik atje, duke shprehur pakënaqësi me qeverisjen e gjatë të partisë së Vuçiqit. /Ballkani.info/