Zëvendësministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës/Koordinator për Integrim dhe Anëtarësim në NATO, Burim Ramadani, priti në takim delegacionin nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë të udhëhequr nga Florian Kali, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Politikat e Mbrojtjes të Ministrisë të Shqipërisë.
Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, zv. ministri, Ramadani i falënderoi mysafirët për bashkëpunimin dypalësh dhe njëherësh shprehu mirënjohjen për mbështetjen e drejtpërdrejtë të Shqipërisë dhënë Kosovës për anëtarësimin e plotë në Iniciativat rajonale.
Ramadani, më tej, delegacionin nga Shqipëria e informoi edhe rreth hapave transformues të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe strukturës së re të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për procesin e hartimit dhe të miratimit të Strategjisë së Sigurisë së Kosovës, si dokument thelbësor ku do të mbështeten objektivat e ardhshme reformuese të aparatit shtetëror, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie, transmeton Ballkani.info.
Gjithashtu, Zëvendësministri, i njoftoi edhe me përkushtimin e Kosovës në synimet për anëtarësim në NATO, duke shprehu bindjen se paqja e përhershme në Ballkan arrihet përmes integrimeve Euro-Atlantike.
Delegacionin nga Ministria e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, gjatë ditës së sotme, u prit edhe nga Faruk Geci, drejtor i Drejtorisë për Politika dhe Plane dhe koloneli Agron Bajrami, drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrimet Euro-Atlantike në Ministri të Mbrojtjes.
Më pas të dy delegacionet vazhduan takimet e përbashkëta me qëllim të koordinimit të proceseve të bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive të mbrojtjes në harmonizimin e qëndrimeve dhe realizimit të tyre në bazë të Planit të Bashkëpunimit për vitin 2020./Ballkani.info/







