Një datë s’iu përshtat Vuçiqit, tjetra Borellit: Ende s’dihet kur do të mbahet takimi në Bruksel

Kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq në takimin e javës së kaluar arritën marrëveshje për personat e zhdukur. Tash, miratimi pritet që të bëhet në takimin e nivelit të lartë, mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit Aleksandër Vuçiq. Kur pritet takimi i radhës Kosovë-Serbi?

Bashkimi Evropian ende nuk e ka caktuar datën, ose të paktën s’e ka bërë publike, të takimit mes liderit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Pyetur nga Nacionale në lidhje me këtë çështje, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, shkurt na tha: “Do ta bëjmë të ditur si gjithmonë, kur të jetë e përshtatshme”.

Njëra datë s’iu përshtat Vuçiqit, tjetra Borellit
Pas takimit të katër prillit, zëvendëskryeministi Bislimi kishte konfirmuar se një takim pritet të mbahet në prill, megjithëse, dy data të propozuara nuk iu përshtaten pjesëmarrësve.

Ai kishte bërë të ditur se 22 prilli u desh të zhvendoset për shkak të obligimeve të presidentit të Serbisë, ndërkaq 24 prilli, “ishte e pamundur për krediplomatin Borell”.

“Data e propozuar ka qenë 22 prilli, e shtunë, në Bruksel. Ne kemi preferuar datën 24 prill, po me gjasë më 24 prill ka qenë e pamundur për z.Borell. Jemi dakorduar për 22 prill, por pas kësaj ka ardhë një kërkesë nga Serbia që kjo të zhvendoset për shkak të obligimeve të z.Vuçiq. Kështu që kemi mbetur ta dakordojmë datën në ditët në vazhdim.” – tha ai mbrëmë.

Ndërkaq, pikërisht në ditën mes këtyre dy datave, 23 prill, pritet që të mbahen zgjedhjet për katër kryetarët e komunave në veri.

Pak detaje nga marrëveshja
Bislimi në këtë paraqitje të tij nuk kishte dhënë shumë detaje në paraqitjen e tij rreth marrëveshjes për të pagjeturit.

“Te marrëveshja për të pagjeturit, ne veç kemi pasë një dakordim thuajse mbi 95 për qind, kur në fund të bisedimeve z.Kurti kishte pranuar të nënshkruante dokumentin. Kemi vërejt më pas tërheqjen e z.Vuçiq. Pastaj, ka ardhë një dokument i modifikuar nga z.Lajçak në shtator, dje mbi këtë dokument kemi diskutu.” – ka thënë ai.

Petkoviq ndërkaq, kishte pretenduar se me arritjen e marrëveshjes, në tekstin e Deklaratës për Personat e Zhdukur është hequr termi “zhdukje me forcë”.

“Përveç politizimit të dukshëm të kësaj teme tejet humane, është e kuptueshme edhe pakënaqësia e Prishtinës, e cila dështoi në planin e saj për të akuzuar Serbinë për të gjitha rastet e zhdukjeve në Kosovë dhe për t’ia atribuar Beogradit krimet e UÇK-së i cili ishte qëllimi i tyre që në fillim, të cilin e pamë dhe e penguam.” – ka thënë ai.

Para disa ditësh, kur kryeministri Kurti u pyet në lidhje me këtë çështje, ai deklaroi se në tekstin për të cilin u pajtuan Bislimi e Petkoviq përmendet edhe termi “të zhdukur me dhunë”.

“Formulimi i saktë në anglisht është ‘forcibly disappeared’, pra do të thotë ata që janë të zhdukur me dhunë dhe kështu është termi i cili është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Pra edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet ‘persona të pagjetur’, ‘të zhdukur’, ‘që mungojnë’, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë.” – kishte deklaruar ai.