Një 16-vjeçare u dhunua për dy muaj nga dy vëllezër në Gjilan

Pa kaluar dy javë nga zbulimi i rastit të dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë. Një ngjarje e tillë e trishtë ka ndodhur edhe në Gjilan, për dy muaj me radhë dhe viktimë edhe kësaj here është një e mitur.

Për rastin kanë nisur hetimet tek tas, pas denoncimit të viktimës 16-vjeçare, raporton Gazeta Sinjali. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se për këtë rast të tmerrshëm tashmë kanë rënë në prangat e Policisë dy persona të dyshuar.

Si përfundoi e mitura në duart e të dyshuarve, të cilët janë vëllezër mes vete?

Bazuar në dëshminë e vajzës, që ka dhënë para hetuesve policorë, dy të dyshuarit kanë kryer marrëdhënie seksuale me të për dy muaj, në mars dhe në prill, periudhë kjo kur e mitura ka qenë jashtë shtëpisë. Gjithçka dyshohet se ndodhi në fshatin Velekincë, pasi 16-vjeçarja nisi shoqërimin me dy të dyshuarit, të moshave të reja. Dy vëllezërit të cilët dyshohet se e kanë dhunuar vajzën e mitur janë arrestuar pasi Policia u aktivizua si rezultat i denoncimit të të miturës, e cila ka përshkruar në detaje krejt çka ka ndodhur për dy muaj.

Burimet thonë se dy personat që u arrestuan janë shoqëruar në stacion policor dhe më pas kanë dhënë deklaratë para hetuesve për veprën me të cilën ngarkohen. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim policor, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”.