Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga AAK-ja, Muharrem Nitaj ka kërkuar sonte nga Ekipi Negociator që t’i ndërpresë të gjitha takimet në Bruksel, deri në një përgjigje zyrtare nëse deklarata e Maja Kocijançiq për Trepçën është qëndrim i saj personal apo qëndrim i BE-së!
“Nëse është kjo e dyta, atëherë Kosova nuk duhet ta pranojë ndërmjetësimin e Federica Megerinit në këto bisedime. Trepçën as komunistët jugosllavë nuk e kanë parë si aset të Serbisë! Dhe për kujtesën e të gjithëve e posaçërisht të këtyre zyrtarëve të Bashkimit Evropian, në Trepçë ka filluar shkatërrimi i Jugosllavisë Komuniste”, ka shkruar Nitaj.
Më herët, edhe deputeti i LDK, Lumir Abdixhiku ka kërkuar diçka të tillë.
“Zyrtarët e BE-së, Kur e bëmë ushtrinë thanë është provokim. Duhet marrë pëlqimin e Serbisë. Merreni me mend. Kur vendosëm për Trepçën, thanë është nguti. Vendoseni pasurinë në tavolinë me Serbinë”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në Facebook. /Ballkani.info/







