Nisin shpërthimet në VV kundër LDK-së. Një deputet i VV-së kërkon zgjedhje të reja

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca thotë se vullneti i popullit për ndryshim i dalur nga kutitë e votimit më 6 tetor mbanë dy emra kryesorë: Albin Kurti e Vjosa Osmani.

“Albin Kurti si kryeministër i votuar nga qytetarët tashmë, e Vjosa Osmani si më e votuara në LDK, përveç emra, përfaqësojnë edhe mendësinë e re që aq shumë i duhet shtetit tonë tani. Sot, kjo mendësi e re gjendet nën sulm nga ata që përveë se janë plakur në politikë për dekada, edhe na kanë zhytur në këtë dështim”, akuzon Gjyshinca, shkruan Ballkani.info.

Sipas tij, sot një shoqëri e republikë e tanë po bëhet kurban i konflikteve të brendshme partiake të udhëhequra nga njerëz me mentalitet të “pushtetit të vjetër” e të pangopur për pushtet. Edhe kjo një akuzë e rëndë ndaj LDK-së nga përfaqësuesi i VV-së.

Ndërkohë, ai kërkon zgjedhje të reja.

“Andaj sipas meje, nëse nuk ka reflektim, përballë kësaj situate kthimi tek populli është rruga më duhur për t’i shërbyer atij më së miri”, thekson ai.

Edhe pas shumë takimeve ndërmjet liderëve të VV-së dhe LDK-së, këto dy parti nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët që të arrijnë marrëveshje për të bashkëqeverisur. Kushti i LDK-së mbetet presidenti. /Ballkani.info/