Nisin punimet për bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë

Në Shqipëri dita e sotme shënon fillimin e punimeve për ndërtimin në Kuçovë të një baze taktike ajore të NATO-s, e para bazë e Aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në një ceremoni të organizuar në Kuçovë, kryeministri Edi Rama vlerësoi vendimin e NATO-s si shenjë të vlerës së shtuar që Shqipëria përfaqëson në aleancë. Me një investim prej 51 milion eurosh, punimet për transformimn e bazës pritet të përfundojnë në vjeshtën e vitit të ardhshëm

Pas më shumë se 3 vjet e gjysëm, që nga momenti kur NATO mori vendimin për ta kthyer aeroportin e vjetër të Kuçovës në një bazë ajrore të Aleancës, sot u organizua një ceremony e posaçme që shënon fillimin e punimeve. Ndërhyrjet do të kenë si synim përmirësimin e pistës, infrastrukturës për kontrollin dhe sigurinë e fluturimeve apo dhe rrugët lidhëse.

“Baza ajrore taktike e Kuçovës do të shndërrohet në një gjurmë të rëndësishme të pranisë NATO-s dhe do jetë në gatishmëri për stërvitje dhe operacioneve të ndryshme, duke qenë e gatshme 24 në 7 si në kohë paqe ashtu dhe në kohë krize. Baza do të zotërojë kapacitete për vëzhgimin e hapësirës ajorore, dhe fushëbetejës dhe do të ofrojë për NATO-n dhe vendet aleate mundësinë e ngritjes dhe uljes së mjeteve ajrore në çdo kohë, në të gjithë kushtet atmosferike, duke rritur ndjeshëm lëvizshmërinë opeacionale dhe kapacitetet tona si vend pritës”, shpjegoi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Bajram Begaj.

Për autoritetet shqiptare përzgjedhja e bazës së Kuçovës lidhet sa me pozicionin gjeostrategjik të vendit, si dhe të vetë aeroportit, aq dhe me besueshmërinë që Shqipëria ka krijuar në gjirin e Aelancës.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “vendimi që NATO mori për ta përzgjedhur këtë hapësirë si një mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë, duke e transformuar në një bazë ajrore taktike të aleancës në rajon, konfirmon faktin se Shqipëria e vogël, është sidoqoftë një vlerë e shtuar në këtë Aleancë, e cila bashkon së bashku, shtete, që besojnë në disa vlera dhe parime për të cilat ia vlen të luftohet”.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me NATO-n, autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës.

Sipas autoriteteve, përveç rëndësisë strategjike, prania e një baze të NATO-s, do të ketë ndikime pozitive sociale dhe ekonomike dhe në komunitetin e zonës, me rritje të punësimit apo dhe shërbimeve.

Dy javë më parë, edhe Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën, njoftoi vendimin për të patur në Shqipëri një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale. /VoA/