Nisin pasojat për Turqinë pas përplasjeve me ShBA-në e Francën: Lira bie në nivel rekord

Lira turke ka rënë në nivel rekord në raport me dollarin amerikan për shkak të shqetësimeve të investitorëve rreth ekonomisë turke, të goditur nga pandemia dhe përçarjet me aleatët e NATO-s.

Presidenti turk, Rexhep Erdogan, është përplasur shpesh me Francën dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan BBC.

Analistët thonë se në mesin e shkaqeve për rënien e vlerës së valutës kombëtare janë edhe inflacioni prej 11.7 për qind muajin e kaluar dhe refuzimin e Bankës Qendrore për ta rritur shkallën e interesit.

Sipas analistëve të tregut të valutave, shtrirja e politikave të Erdoganit në Libi, Siri, Qipro dhe Kaukaz i ka shqetësuar investitorët.

“Tensionet e ngritura gjeopolitike me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian janë burime të reja të dobësimit të lirës”, tha një tregtar turk i valutave, i cituar nga agjencia Reuters.

Lira turke e ka humbur për 26 për qind vlerën e vet këtë vit dhe raportohet se autoritetet turke i kanë shpenzuar 134 miliardë dollarë amerikanë gjatë 18 muajve të kaluar në përpjekje për ta forcuar valutën.

Më 23 tetor, presidenti turk konfirmoi se Turqia e ka testuar sistemin raketor rus, S-400, ndërsa të dielën reagoi ndaj kritikave të Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen me Rusinë, duke thënë: “Ju nuk e dini me kë jeni duke luajtur. Vazhdoni me sanksionet tuaja”.

Turqia është kritikuar edhe nga Bashkimi Evropian për shkak të eksplorimit të gazit në ujëra të kontestuara në kufi me Greqinë dhe Qipron, duke e paralajmëruar për sanksione të mundshme.