Nis shpërndarja e materialeve zgjedhore në Shqipëri

Ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore në gjithë territorin e Shqipërisë, duke filluar nga zonat më të largëta fillimisht, e për të vijuar më tej me qendrat e banuara, në të cilat procedura është më e thjeshtë.

Në bazë procedurale, materialet merren në dorëzim nga komisionarët e qendrave të votimit.

Sipas njoftimeve paraprake nga qendrat e administrimit zgjedhore, nuk ka pasur asnjë problematikë lidhur me çështjen dhe shpërndarja është duke vijuar normalisht, për të plotësuar nevojat e çdo qendre.

Vijimisht, me shpërndarjen e materialeve zgjedhore, qendrat e votimit shkojnë në mënyrë automatike në administrim të Policisë së Shtetit, e cila sigurohet për ruajtjen e tyre.

Më tej, forcat e rendit pozicionohen në terren, deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Pajisjet e identifikimit biometrik janë edhe ato më delikatet për t’u transportuar, ku po tregohet kujdes i veçantë.

Identifikimi biometrik është i parashikuar në të gjithë qendrat, me përjashtim të atyre ku pajisja nuk do të jetë e mundur të mbërrijë, apo ku do të shfaqen vështirësi eventuale gjatë gjithë procesit, shkruan AlbanianPost.

Megjithatë, është parashikuar edhe një skenar i tillë, ku në rast se ndodh, atëherë komisionet e votimit do të duhet të vijojnë punën manualisht, duke u garantuar zgjedhësve votën.

Ky vendim është marrë nga vetë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për të shmangur çdo mundësi të bllokimit të votimeve dhe për t’i mundësuar të gjithë qytetarëve të drejtën e votës.

Rol thelbësor do të kenë edhe operatorët e trajnuar për mirëfunksionimin e pajisjeve të identifikimit biometrik.