Nis peticion që emrat e abuzuesve seksual në Kosovë të jenë publik

Në Kosovë ka nisur një peticion që emrat e abuzuesve seksual në Kosovë të jenë publik.

Kjo pas rasteve të fundit të dhunës seksuale kudo në vend.

Peticioni ka nisur qysh dje, ndërsa pritet që shumë shpejt ti dërgohet Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës si kërkesë për funksionalizimin e një regjistri publik të abuzuesve seksual.

Rastet e fundit të dhunës seksuale në Kosovë duhet t’i alarmojnë institucionet e vendit që këtë temë ta trajtojnë me prioritet. Qindra e mijëra fëmijë, gra dhe burra të cilët janë të mbijetuar të dhunës seksuale meritojnë që emrat e abuzueseve të tyre të jenë publikë. Në shumë shtete të botës, emrat e personave që ushtrojnë dhunë seksuale janë publikë për qytetarët.

Prandaj, ky peticion i drejtohet Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës si kërkesë për funksionalizimin e një regjistri publik të abuzuesve seksualë.

Regjistri i personave që ushtrojnë dhunë seksuale u jep mbrojtje të mbijetuarve të dhunës, si dhe minimizon mundësinë që dhunuesit ta përsërisin aktin e dhunës seksuale. Regjistri publik mund të parandalojë rastet e përsëritura, të krijojë siguri për të mbijetuarit dhe të inkurajojë denoncimet në kohë.

Prandaj, Grazeta u bën thirrje ta nënshkruani këtë peticon dhe së bashku të krijojmë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të parandalojmë dhunën seksuale.

Nënshkruani peticionin nëse dëshironi edhe ju që emrat e abuzueseve seksualë të jenë publikë“, thuhet në njoftimin e peticionit.