Nikaragua me liberalizim vizash e Kosova jo, ish-kryediplomati kosovar i ka disa pyetje për miqtë evropianë

Petrit Selimi, ish-ministër i Punëve të Jashtme mendon se Kosova po diskriminohet nga aleatët në çështjen e liberalizimit të vizave, ndërsa ka pyetur sot se si Nikaragua, vendi i udhëhequr nga diktatori Daniel Ortega e gëzon liberalizimin e vizave.

Selimi mori shkas nga lajmi se Nikaragua po ua ndalon gazetarëve të huaj në vend.

“Reporterët e huaj nuk mund të hyjnë më në Nikaragua. Por Bashkimi Evropian ia ka dhënë regjimit brutal të Ortegës hyrjen pa viza në zonën Shengen. Pyes miqtë e mi evropianë, çfarë kushtesh i ka plotësuar Nikaragua, të cilat nuk i ka përmbushur Kosova? Rregullin e ligjit? Demokracinë e shëndetshme dhe të drejtat e njeriut?”, ka shkruar Selimi.

Para pak ditësh, ish-kryediplomati shpërndau një deklaratë e kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, e cila i kërkoi BE-së ta ndalojë lëshimin e vizave turistike për rusët, duke shkruar.

“Dakord në fakt. Në të njëjtën kohë – liberalizoni vizat për Kosovën, shtetin më pro BE-së dhe NATO-s në këtë pjesë të botës. Nëse BE-ja i lejon udhëtim pa viza Venezuelës së Maduros dhe Nikaraguas së Ortegës, me siguri Kosova po diskriminohet nga vetë aleatët tanë?”.