Anëtari i Kryesisë

Nikaj: Kosova nga sot ka abstenuar nga marrja me politikë të jashtme

Kosova momentalisht nuk ka politikë të jashtme, sipas Sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë dhe anëtarit të kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj.

Ai, në Rubikon të Klan Kosovës, deklaroi se Kosova nga sot po abstenon nga politika e jashtme.

“Ne lirisht mund të themi sot se Kosova momentalisht nuk ka politikë të jashtme. Do të thotë që Kosova që nga sot ka abstenuar nga marrja me politikë të jashtme”.

Nikaj shtoi se Qeveria e Kosovës me shkarkimin e ambasadorëve është duke abstenuar edhe nga skena ndërkombëtare.

Ai i doli në krahë qeverisë duke thënë se është e drejtë e saj që të ndryshojë ambasadorët, mirëpo e qortoi për lënien e vendeve të zbrazëta.

“Është e drejtë legjitime e qeverisë që të ndryshojë të gjithë ambasadorët politikë, por duhet t’i ndryshojë dhe jo t’i lë hapësirat e zbrazëta. Askush nuk po e kritikon të drejtën e kësaj qeverie që të ndërmarrë veprime që të vendosë një politikë të veten, për të vendosur një politikë të re. Por, qeveria po zgjedh që të abstenojë nga qeverisja dhe po i lë ambasadat e thata”.