Qytetarja prizrenase, Albana Gërmizaj, ka ngritur Kallëzim Penal, ndaj drejtoreshës së Arsimin në Komunën e Prizrenit, Xhemile Thaqi -Vezgishi.

Ky Kallëzim Penal është ngritur në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nën akuzën e Albana Gërmizajt, se i është bërë padrejtësi në një konkurs për mësimdhënëse në Prizren.

Gërmizaj e akuzon drejtoreshën e Arsimit në Prizren, Xhemila Thaqi – Vezgishi, se padrejtësisht i ka pamundësuar punësimin si edukatore në shkollën “Dëshmorët e Vrrinit”, në fshatin Billushë.

Gërmizaj thotë se ka qenë kandidatja më e suksesshme në konkursin e hapur për këtë pozitë, por që sipas saj me vendim të Drejtorisë së Arsimit, i është pamundësuar punësimi si edukatore në shkollën e fshatit Billushë të Prizrenit.

Në arsyetimin e Kallëzimit Penal, thuhet se pas anulimit të konkursit, Albana Gërmizaj, ka paraqitur ankesë në Inspektoratin e Punës në Komunën e Prizrenit, ankesë e cila sipas saj është miratuar.

Ani pse Inspektorati i Punës, sipas Gërmizajt, ka marrë vendim për fillimin e punës së saj si edukatore, një gjë e tilla është shpërfilluar nga drejtoria që udhëhiqet nga Xhemile Thaqi – Vezgishi.

Të njejtën ankesë, ajo e kishte deponuar edhe tek Inspektoriati në Prishtinës, i cili sikurse ai në Prizren, i kishte dhënë të drejtë Gërmizajt, duke konstatuar se Drejtoria e Arsimit në Prizren, kishte bërë shkelje me vendimin e saj për mos ta pranuar atë në punë.

Përkundër dy vendimeve nga Inspektoriati i Prizrenit dhe ai i Prishtinës, Albana Gërmizaj, nuk kishte arritur që të lidhë kontratë për punësim në shkollën e fshatit Billushë.

Ajo thekson në Kallëzimin Penal, që ka vazhduar të aplikojë edhe në disa konkurse të tjera të shpallura nga Drejtoria e Arsimit, për t’u pranuar si mësimdhënëse në disa shkolla tjera të Prizrenit, por që pa sukses.

Gërmizaj akuzon rëndë zyrtarët e Drejtorisë së Arsimit në Prizren, se kanë pranuar në punë si mësimdhënës disa personale që kanë pasur konflikte interesi me zyrtarë komunalë e punonjës të sistemit të drejtësisë.

Thotë se në një konkurs, është pranuar në punë në arsim, gruaja e gjyqtarit Agron Hoxha, Hamide Cakaj.

Thekson se pranimi i Hamide Cakajt si mësimdhënëse ka ndodhur pas ndikimit të drejtpërdrejt që ka bërë në Drejtorinë e Arsimit, Agron Hoxha.

Afërdita Gërmizaj, akuzon drejtoreshën e Arsimit në Prizren, Xhemile Thaqi – Vezgishi, se ka pranuar në punë si mësimdhënës disa persona, që sipas saj kanë konflikt interesi me të.

Përmend emrin e Afërdita Drinit.

Gazeta Blic, për këtë Kallëzim Penal dhe për akuzat e bëra ndaj, ka folur me drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Xhemile Thaqi – Vezgishi.

Fillimisht ajo ka hapur telefonin, duke biseduar shkurtimisht me gazetarin.

Me t’u sqaruar arsyeja e thirrjes, drejtoresha Xhemile Thaqi – Vezgishi, ka kërkuar nga Gazeta Blic, që t’i dërgohen pyetjet me email adress, duke premtuar se do të përgjigjet.

Por, që ajo ende nuk ka kthyer përgjigje në emailin e redaksisë.

Gazeta Blic, ju sjell të plotë Kallëzimin Penal dhe emrat e kandidatëve të pranuar si mësimdhënës në Prizren dhe atyre që janë refuzuar: