Klinë

Ngritet aktakuzë ndaj personit që shkaktoi aksident ku për pasojë vdiq 22-vjeçari në Shtupel të Klinës

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Eraj Temaj, i cili akuzohet se në qershor të 2022-tës në Klinë nga pakujdesia kishte shkaktuar aksident, ku për pasojë kishte vdekur 22-vjeçari, tani i ndjeri J.T.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i akuzuari Eraj Temaj, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, sepse me 27 maj 2022, rreth orës 21:14 në fshatin Shtupel të Klinës, nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikoi jetën e njerëzve e cila rezultoi me vdekjen e këmbësorit tani të ndjerit J.T.

Gjithnjë sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës së datës 19 korrik 2023, gjersa i pandehuri Eraj Temaj, ishte duke qëndruar në rrugë së bashku me shokët e tij në një moment niset me automjetin e tij me qëllim që ta largoi veturën nga rruga, aty viktima J.T., njëri nga shokët e të pandehurit ishte ulur mbi bagazh të automjetit, i pandehuri Eraj, nuk e vëren fare këmbësorin e ulur mbi bagazh të veturës së tij dhe gjatë lëvizjes së veturës J.T humb stabilitetin e tij fiksues dhe për pasojë rrëshqet dhe bie në sipërfaqe të fortë asfalt duke rënë me kokë, me ç‘rast pëson lëndime të rënda trupore, ku gjatë trajtimit mjekësor pranë QKUK-së, në Prishtinë, i njëjti ndërron jetë me datë 16.06.2022, si pasojë e aksidentit.

Për këtë rast shqyrtimi fillestar pritet të mbahet me 18 dhjetor të këtij viti, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega Klinë.