Ngritet aktakuzë ndaj Dalip Brahimit, Lulzim Berishës dhe djalit të Sabit Gecit

Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se ka ngritur aktakuzë ndaj pesë të dyshuarve për “fajde”, “detyrim” dhe “pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”, në mesin e të cilëve janë Dalip Brahimi, Lulzim Berisha – “Luli” dhe Alban Geci.

Përveç Dalip Brahimit, në aksionin e Policisë së Kosovës më 21 dhjetor në Prishtinë, ishin arrestuar edhe djali i tij, Rrahim Brahimi, si dhe Ismet Salihu, Bujar Gërbeshi e kryetari i tifogrupit “Dardanët”, Lulzim Berisha – i njohur me si “Luli”, shkruan Insajderi.

Në të njëjtin rast dyshohet se është i përfshirë edhe Alban Geci, djali i ish-ushtarit të UÇK-së, Sabit Geci. Mirëpo, ai kishte arritur t’i arratisej Policisë për katër muaj rresht, derisa ishte arrestuar më 28 mars të këtij viti. Aktakuzë është ngritur edhe ndaj tij.


Alban Geci, djali i Sabit Gecit, ish-eprorit të UÇK-së

Ata dyshohen se kanë qenë pjesë e një grupi kriminal që merret me fajde e lojëra ilegale të fatit.

Megjithëse kanë konfirmuar ngritjen e aktakuzës ndaj të dyshuarve, nga Prokuroria e Shtetit kanë thënë se nuk janë në dijeni nëse grupi i Brahimit është liruar nga paraburgimi.

Insajderi, gjatë ditës së shtunë ka kontaktuar me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu dhe zëdhënësin për media të Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu, për të marrë informacione lidhur me të dyshuarit për fajde e detyrim. Të dy kanë thënë se nuk janë në dijeni për lirimin nga paraburgimit të të dyshuarve.

Del nga burgu Dalip Brahimi, i famshëm si fajdexhiu më i madh i Prishtinës

Por, përmes një bisede telefonike, Ekrem Lutfiu ka thënë se Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj tyre.

“Aktakuzë ndaj këtyre personave ka, mirëpo nuk jam në dijeni nëse janë liruar nga paraburgimi apo jo. Mund ta pyesni gjykatën për këtë gjë”, ka thënë Lutfiu.

Ndërkaq, avokatët e disa prej të dyshuarve, i thanë Insajderit se pikërisht me propozim të Prokurorisë së Shtetit të dyshuarit janë liruar nga paraburgimi.