Ngriten aktakuza ndaj 8 prindërve për braktisje të fëmijës, identifikohen 58 të mitur lypsarë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë një pune hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore kanë identifikuar 100 lypsarë, prej tyre 58 fëmijë dhe 42 të rritur

Policia bën të ditur se janë ngritur kallëzime penale ndaj 8 personave të dyshuar për veprën penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

“Gjatë zbatimit të këtij plani operativ ka rezultuar me: identifikimin e 58 fëmijëve lëmoshëkërkues, prej tyre 21 shtetas kosovarë dhe 37 shtetas shqiptarë, identifikimin e 42 lëmoshëkërkuesve të rritur, prej tyre 6 shtetas kosovarë dhe 36 shtetas shqiptarë. Janë ngritur kallëzime penale ndaj 8 personave të dyshuar për veprën penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”, neni 243 sipas Kodit Penal të RKS-së”, thuhet në një komunikatë të policisë, përcjell Ballkani.info.

Policia bën të ditur se të gjithë fëmijët lëmoshëkërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe të pajisur me dokumente. Në prani të punëtorit social, të gjithë fëmijëve lëmoshëkërkues u është plotësuar formulari për shënimet e lëmoshëkërkuesve dhe janë marrë në pyetje familjarët e tyre, me qëllim të identifikimit të viktimave potenciale të trafikimit me njerëz.

Fëmijët të cilët nuk kanë rezultuar viktima të trafikimit me njerëz janë ndërmarrë këto masa si më poshtë:

Ndërkaq bëhet e ditur se ndaj fëmijëve të cilët nuk kanë rezultuar të jenë viktima të trafikimit me njerëz janë marrë disa masa.

“Është konsultuar prokurori përkatës, janë iniciuar 8 raste ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ sipas nenit 243 të Kodit Penal të Kosovës dhe janë dorëzuar kallëzime penale kundër 8 të dyshuarve, prindërve të fëmijëve lëmoshëkërkues, ndërsa janë identifikuar 21 fëmijë si viktima të kësaj vepre penale. Të gjithë fëmijët e hasur duke kërkuar lëmoshë (58) janë referuar në (qendrat për punë sociale (QPS) përkatëse. Pas trajtimit të rasteve veç e veç dhe verifikimit të rrethanave, në konsultim me Prokurorinë dhe QPS-të përkatëse, shtetasit e Shqipërisë janë referuar në drejtorinë përkatëse (DMH) për trajtim të mëtutjeshëm sipas kompetencave”, thekson policia. /Ballkani.info