Ngrihen aktakuza ndaj dy zyrtarëve të “Hidrodrinit” për helmimin nga uji në Deçan

Prokuroria në Pejë ka ngritur dy aktakuza për helmimin e qytetarëve në Deçan vitin e kaluar.

“Pas një hetimi intensiv në çështjen penale me rastin e helmimeve të 1500 qytetarëve, sot kam ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve si persona përgjegjës për veprën penale ‘Mos evitimi i rrezikut’”, deklaroi në një konferencë për media prokurori Durjan Juniku.

Aktakuzat janë ngritur ndaj dy zyrtarëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini”, saktësisht kimistes dhe drejtorit të Departamentit Teknik për mungesë të klorit dhe të testimeve të ujit.

Ndërkaq lidhur me personat e dyshuar të nacionalitet serb, është thënë se kanë përfunduar hetimet dhe ka rezultuar se nuk kanë pasur lidhje me rastin.

Në korrik të vitit kaluar 1500 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ku në mesin e tyre 51 kanë qenë fëmijë për shkak të problemeve shëndetësore që u lidhën me ujin.