Ngjela: Kosova i ka kufijtë, që njihen me Kushtetutën e vitit 1974

Nuk mund të ketë ndërrim territoresh meqë këtë nuk e pranon politika globale. Kosova është politikë parlamentare dhe jo presidenciale, andaj presidenti nuk ka kompetencë për negocim territoresh.

Kështu thotë avokati nga Shqipëria Spartak Ngjela në një intervistë për KosovaPress, ku shton se historia e territoreve nuk mund të bëhet me referendume.

Ngjela thotë se bashkimi me Luginën është kërkesë shqiptare, ndërsa lëshimi i territorit është kërkesë serbe.

Sipas tij, për territoret dhe çështje të tjera të rëndësishme për vendin, nuk mund të ketë një president memec.

Duke folur për situatën politike në vend dhe idenë e korrigjimit të kufijve e cila u dha nga presidenti Hashim Thaçi, Ngjela thotë se presidenti nuk mund të ketë një kompetencë të tillë.

Ngjela thotë se nuk mund të ketë ndërrim territoresh dhe se këtë nuk do ta pranonte politika globale, meqë dihet që Ballkani ka shumë probleme me kufijtë.

Ai thotë se Kosova i ka kufijtë, që dihet se nuk janë kufij maksimal, por janë ata që njihen me Kushtetutën vitit 1974.

Ndërsa, për mundësinë e mbajtjes së një referendumi në Kosovë të cilin e kishte përmendur presidenti lidhur me idenë për t’i bashkuar Luginën, Republikës së Kosovës, Ngjela thotë se historia e territoreve nuk mund të bëhet me referendume.

Ngjela thekson se Kosova është fituese në luftën me Serbinë, dhe si e tillë duhet të paraqitet në dialogun me Serbinë.

Ai thotë se nuk ka kthim prapa, duke kujtuar luftën e Millosheviqit që i rezultoi me humbje të Kosovës, Ngjela thotë se sot një luftë e Serbisë do t’i kushtonte asaj me humbje të Preshevës dhe vende të saj deri në Nish.

Ngjela flet edhe për formimin e ushtrisë së Kosovës, ku procedimin e pakos me tre projektligje për transformimin e FSK-së e ka quajtur ngjarje të madhe.

Sipas tij, politika kosovare do të duhej më herët të bënte diçka të tillë. Ngjela thotë se situata e rëndë ka kërkuar që të bëhet një zgjidhje në këtë proces, andaj është vazhduar me ndryshime ligjore dhe nuk është pritur më shumë për ndryshime kushtetuese./KosovaPress/