Ngjarje si në filma në “Rrugën B”: Policia e Kosovës jep detaje të reja, u detyruam të përdorim armën

Ballkani.info ka raportuar mbrëmë për një plagosje që ka ndodhur te rruga B. Policia e Kosovës ka thënë për këtë rast se intervenimi i tyre ka bërë që të shpëtohet jeta e qytetarëve.

“Mbrëmë rreth orës 22:00 kemi pranuar informatën për një gjuajtje me armë në rrugën “B” në Prishtinë.
Rastit i janë përgjigjur njësiti policor që gjendej në një pikë kontrolli në afërsi të vendit të ngjarjes.

Pas intervenimit policor edhe përkundër dhënies së urdhrave verbal , njëri nga personat e dyshuar nuk ka respektuar urdhrat e zyrtarëve policor dhe në vazhdimësi ka shtënë me armë zjarri në drejtime të ndryshme dhe ka plagosur edhe një kalimtar rasti.

Duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe potencialisht të rrezikshëm për qytetarët dhe për vet zyrtarët policor, polica domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme të të dyshuarit si dhe për ta vënë të njëjtin nën kontroll, me ç rast është plagosur personin e dyshuar. Personit të dyshuar po ashtu i është sekuestruar arma e përdorur në rast.

Personat e lënduar kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.
Personit të dyshuar, R. R, mashkull, 29 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i është shqiptuar masa e ndalimit ndërkohë që nga hetuesit po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme policore rreth këtij rasti.

Strukturat Policore të Drejtorisë Rajonale të Prishtinës në kuadër të veprimtarisë për përmbushjen e misionit për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, do të jenë vazhdimisht të angazhuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale si dhe vënien para drejtësisë së personave të implikuar në aktivitetet kriminale” thuhet në njoftimin e Policisë.