Ngjarje e tmerrshme! Burri nga Ferizaj abuzoi seksualisht me djalin e mitur të vëllait

Një person rreth moshës 33-vjeçare nga Ferizaj është arrestuar mesditën e së shtunës në Ferizaj. Ai po dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një djalin e vëllait të tij i cili është i mitur. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarin.

Një djalë i mitur nga Ferizaj po dyshohet se është abuzuar seksualisht nga një i rritur, më datën 14 të këtij muaji.

I dyshuari për abuzim seksual ndaj të miturit është xhaxhai i tij, i moshës rreth 33-vjeçare.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express prokurori i rastit, Ismet Rrahmani.

“Po, kanë lidhje familjare, janë axhë me nip, do të thotë djalë të vëllait. I dyshuari është i moshës rreth 33-vjeçare. Nuk kemi ndonjë informacion që i dyshuari ka pasur ndonjë precedent gjyqësor më parë”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani ka deklaruar se është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

“Rasti ka ndodhur më 14.11.2020. Kanë filluar procedurat, është bërë kërkesa për paraburgim”, ka thënë Rrahmani.

Ndërkohë, Policia e Kosovës në raportin 24 orë të së dielës ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur mesditën e së shtunës në Ferizaj.

“Sulm seksual – Ferizaj 14.11.2020 – 12:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se ka abuzuar seksualisht viktimën mashkull kosovar (i mitur)”, ka njoftuar policia.

Po ashtu, Policia ka njoftuar se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur Policia.