Ngjarje e shëmtuar: Infermieri shqiptar i vjedh kartën e bankomatit të sëmurit që vdiq nga koronavirusi

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Itali, ku një infermier shqiptar është kapur në flagrancë gjatë vjedhjes së një pacienti që kishte vdekur nga koronavirusi.

Infermieri 41-vjeçar me banim në Boltiere i vodhi kartën e bankomatit një 66-vjeçari të prekur nga Covid-19, duke ia zbrazur më pas të gjithë llogarinë. Sipas autoriteteve italiane ngjarja e shëmtuar ndodhi në 13 mars, dhe shqiptari arriti të marrë plot 6,000 euro nga llogaria e të ndjerit, raporton newsbomb.al.

Në pranga është vënë edhe e fejuara e infermierit shqiptar, një 21-vjeçare.

Gjendja e pacientit me coronavirus u rëndua në 16 mars, ndërsa në 18 prill ai ndërroi jetë.

Ishin familjarët e viktimës ata që vunë re mungesën e parave dhe denoncuan në rajonin policor Romano di Lombardia (Bergamo).

“Një histori e shëmtuar, në një moment tragjik, një abuzim i kryer ndaj një viktime të pafuqishëm”, e komentoi ngjarjen komandanti i policisë lokale.