Boksieri kamerunas

Ngannou nuk po dorëzohet nga boksi: Joshua bëri atë që Fury nuk mund ta bënte

Boksieri kamerunas Francis Ngannou ka thënë se nuk ka në plan të largohet nga boksi pasi pësoi një humbje të rëndë nga Anthony Joshua në Arabinë Saudite.

Ngannou, ka dy humbje në dy ndeshje boksi, por hodhi poshtë sugjerimin për t’u rikthyer në MMA.

“Ju mund të jeni i sigurt se nuk kam mbaruar këtu. Nuk ishte dita ime. Ai ishte shumë më i mirë se unë”, tha Ngannou.

“Është e keqe, por është lojë. Ne të gjithë e dimë këtë”.

Joshua bëri një paraqitje fantastike kundër Ngannous, i cili katër muaj më parë e hasi në vështirësi kampionin e WBC Tyson Fury në 10 raunde, duke pësuar një humbje me rezultat të ngushtë nga gjyqtarët.

Ngannou nuk kishte boksuar kurrë më parë profesionalisht, pasi kishte ndërtuar karrierën e tij luftarake në MMA në UFC, ku ishte kampion në peshën e rëndë.

Kameruniani ishte plot lëvdata për Joshu-n dhe është hera e parë që Ngannou është nokautuar në karrierën e tij në MMA ose në boks.

“[Joshua] ishte mjaft i veçantë sepse më ndaloi”. tha Ngannou.

“Ai bëri atë që Tyson nuk mund ta bënte”.

“Në fakt, nuk e ndjeva grushtin. Mendoj se kjo është ajo që ka të bëjë me nokaut. Nuk ndjej asnjë dhimbje. Kështu e di që jam nokautuar.”