Çështja që ka nxjerrë në rrugë mijëra qytetarë, nën thirrjet e opozitës së dikurshme, që cilësohet si “bosnjëzim”, ka prerë serish rrugën e dialogut. Serbia e do me çdo kusht formimin e Asociacionit të komunave serbe brenda Kosovës, e kryeministri Hotit i është ndaluar nga Presidenti, nga partnerët e nga opozita që të pranojë të diskutojë rreth tij në Bruksel. Cila është historia e Asociacionit dhe si u bë marrëveshja e dikurshme për të?


Ka disa vite që Kosova dhe Serbia janë ulur në tavolinë të dialogut për arritjen e marrëveshjes së pajtimit. Pengesë vazhdon të mbetet bashkësia e komunave serbe, që Vetëvendosje e quan në serbisht “Zajednicë”, sepse për Albin Kurtin “bashkësia” është fjalë e mirë, e Asociacioni nuk mund të jetë i tillë.

Para e pas nënshkrimit të marrëveshjes së Asociacionit, vlerësohej të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe pakon e Ahtisaarit.

Kërkesë e Beogradit që nga fillimi ka qenë që Asociacioni të bëhet me kompentenca ekzekutive e pjesë e saj të jenë të gjitha komunat e banuara nga shumica serbe në Kosovë. Pala kosovare ndërkaq, në fillim kishte ofruar zgjidhje që në këtë organ të përfshihen vetëm katër komunat veriore.

Diskutimet që për këtë çështje kishin nisur për vendosjen e normalitetit në pjesën veriore, derisa, udhëheqësi i atëhershëm i negociatave, ish-kryeministri Hashim Thaçi thoshte se nuk do të ketë autonomi për serbët.

Asociacioni që mendohej t’i jepte fund strukturave paralele dhe sipas Thaçit nuk do të kishte kompetenca as ekzekutive dhe as ligjvënëse. Madje, ish-kryeministri, thoshte se Asociacioni do të ishte thjeshtë një OJQ.

Çështja e përcaktimit të kompetencave sot e atë ditë ka mbetur nyja e pazgjidhur në mes të dy palëve dialoguese.

Zyrtarë të lartë të administratës në Uashington kishin thënë se SHBA-ja nuk kundërshton asociacionin e komunave, por nuk do zgjidhje të ngjashme me atë të Republika Sërpskës në Bosnjë. Ata kishin kundërshtuar kërkesën e Beogradit zyrtar për formimin e një asociacioni, i cili do të kishte kontroll mbi gjykatat, policinë dhe arsimin.

Disa raunde të bisedimeve Kosovë-Serbi e orë të gjata takime kishin lënë palët pa marrëveshje, pikërisht në pjesën ku diskutohej për këtë pjesë.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësim nga Bashkimi Evropian kishte kaluar nëpër një periudhë dinamike të bisedimeve gjatë vitit 2013 derisa në vitin 2014, kishte më shumë takime në nivele teknike, për shkak të zgjedhjeve dhe formimit të institucioneve të reja si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.

Themelet e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishin vendosur në Marrëveshjen e parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila përmbante 15 pika.

Kjo marrëveshje ishte nënshkruar më 19 prill 2013 mes ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut të tij të atëhershëm serb, Ivica Daçiq. Ish-kryeministri Thaçi pas nënshkrimit të marrëveshjes, të njëjtën e kishte cilësuar si historike.

Projektligji për ratifikimin e kësaj marrëveshje ishte miratuar më 27 qershor 2013 në Kuvendin e Kosovës me 84 vota pro, tri kundër dhe një abstenim.

Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia nënshkruan katër marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kjo figurë ka një atribut alt të zbrazët; emri i kartelës për të është mustafa-vucic.jpg

Njëra nga marrëveshjet e nënshkruara nga ish-kryeministri Isa Mustafa ishte edhe Marrëveshja për parimet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për këtë marrëveshje, ish-kryeministri Mustafa kishe thënë se është nënshkruar në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në bazë të ligjeve të Kosovës, duke shtuar se vendimi për krijimin e Asociacionit është marrë në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 dhe s’është asgjë e re.

Në atë kohë në Kuvend të Kosovës e jashtë tij kishin shpërthyer kundërshtimet nga opozita derisa ishin organizuar edhe protesta e ishin ndalur seancat kur deputetët kishin hedhur gaz lotsjellës në drejtim të zyrtarëve të ekzekutivit.

Marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2015 për Asociacionin, ish-presidentja Atifete Jahjaga e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetueshmërinë e tij.

Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor 2015 me shumicë votash kishte vendosur që Asociacioni do të themelohet siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Kushtetuese, po ashtu kishte konstatuar se Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë-Parimet e Përgjithshme/Elementet kryesore nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës gjegjësisht në 23 nene të saj.

Çështja e Asociacionit po insistohet që të futet si pjesë e bisedimeve edhe njëherë nga pala serbe.

Në Kosovë liderët kanë deklaruar se kjo temë është çështje e kryer e se për këtë ka vendim edhe nga Kushtetuesja. Rrjedhimisht, Qeveria në krye me Avdullah Hotin kanë thënë se nuk dialogojnë për këtë temë, e se presin që sa më shpejtë të kthehen në tavolinë të bisedimeve për të punuar drejt marrëveshjes përfundimtare.

Dialogu po vazhdon të qëndrojë pezull, pasi që edhe Kosova dhe Serbia janë duke insistuar në kushtet e tyre. BE-ja ndërkaq si ndërmjetësues po tenton pajtimin e palëve.