Koha kur ata do të duhej të ishin në shkollë, i zuri në rrugë. Nxënës e prindër së bashku, po e kundërshtojnë mbylljen e shkollave në fshatrat e Kamenicës.

Kjo për shkak të reformave në arsim që ndërmori i pari i kësaj Komune, Qëndron Kastrati.

Një numër i madh i atyre që janë të pakënaqur nga kjo situatë bllokuan rrugën kryesore të Kamenicës këtë të hënë.

Gjithçka po shkonte qetë, deri në një moment.

Situata u tensionua edhe më shumë kur protestuesit u afruan afër objektit të Komunës në Kamenicë.

Këtu, Policisë që po e monitoronin situatën, u doli punë me disa protestues.

Madje, njërin nga ta u panë edhe duke e larguar nga turma e protestuesve.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka treguar se gjatë kësaj proteste janë arrestuar 4 persona.

Ndërkohë kryetari i Kamenicës përmes një statusi në Facebook tha se është i papranueshëm keqpërdorimi i fëmijëve në protestë.

Sipas tij kjo protestë ishte e grupe të caktuara për interesa politike e personale.