Kryetari i Prishtinës

Nga parada e LGBTI-së, Shpend Ahmeti u dërgon mesazh politikanëve të tjerë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se politikanët e tjerë kosovarë duhet ta shprehin publikisht qëndrimin e tyre për komunitetin LGBTI, teksa ka thënë se ai personalisht beson në të drejtat e njeriut.

Ahmeti, në një prononcim për Insajderin, ka thënë se politikanët kosovarë duhet të kenë guxim për t’i shprehur qëndrimet e tyre, edhe nëse ato janë kundër këtij komuniteti.

“Patjetër se kisha pas dëshirë që të kemi një unitet më të madh. Unë e di që kjo nuk është shumë e popullarizuar për të dalë sepse kemi shumë njerëz që e kundërshtojnë. Mirëpo kur i ka besimet, njeriu duhet të dalë dhe t’i shpreh qëndrimet e veta pa marrë parasysh kritikave që mund t’i marrë”, u shpreh Ahmeti për Insajderin.

“Prandaj edhe politikanëve të tjerë iu them që të kenë guxim në qoftë se i kanë besimet në të drejtat e njerëzve. Në qoftë se i kanë, është tjetër çështje. Por nëse nuk i kanë, ta kenë guximin që t’i shprehin ato, sepse nuk kemi lindur në pozitë e as nuk do të vdesim në pozitë”, u shpreh kryetari i Prishtinës.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate deklaroi se ai beson se secili qytetar i Prishtinës, dhe i Kosovës, duhet të jetoj i lirë pavarësisht dallimeve.

“Unë mendoj se çdo demonstrim i shkeljeve të drejtave të njeriut është i ndaluar për shoqërinë. Pa marrë parasysh unë i kuptoj edhe paragjykimet të cilat njerëzit i kanë, me të cilat nuk pajtohem fare. Por për mua është shumë e rëndësishme që secili qytetar i qytetit tim, të jetoj i lirë pavarësisht orientimit seksual”, u shpreh Ahmeti.

Parada e Krenarisë, e organizuar nga organizatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit LGBTI, u mbajt sot në Prishtinë. Organizatorët kërkuan që komuniteti LGBTI të trajtohet në mënyrë të barabartë me pjesën tjetër të shoqërisë dhe që të respektohen të drejtat e njerëzve.